Fagu: Unë, fatin e Van Bastenit, tani s’e di çfarë do të bëj!

0

Vetëm 27-vjeç, mbrojtësi nuk ia del të vazhdojë karrierën, për shkak të operacioneve në të dy gjunjët: “Nuk e mendoja kaq shpejt, por jam i detyruar. Pengu im, që nuk u riktheva tek Tirana. Luftova për t’u rikuperuar, por kështu e ka jeta”

Anton Cicani

Të luash futboll në ditët e sotme duhet të përballesh edhe me problemet që mund të të pengojnë për të ushtruar profesionin dhe mes tyre janë “ato”, dëmtimet, të cilat për atletët përbëjnë ndoshta edhe pjesën më të keqe, më shumë se sa humbja e një finale, e një ndeshje, apo e një goli të sigurt. Sidomos nëse dëmtimet janë të përsëritura dhe nëse trupi yt kthehet në një “kavje laboratori” ku doktorët vënë duart dhe provojnë të të rikuperojnë. Historia e shëmtuar e shumë kampionëve kalon pikërisht nga dëmtimet, nga operacionet dhe rikuperimet e gjata dhe shpesh pesimiste në humor. Erbim Fagu, që me Skënderbeun ka fituar katër tituj kampion, por që ka luajtur gjithashtu me disa skuadra, mes tyre me Tiranën, ku nisi gjithçka dhe ku gjithashtu fitoi kampionatin në sezonin 2006-2007, nuk ia ka dalë të vazhdojë dhe, i detyruar nga gjendja shëndetësore dhe rreziku që një ditë të mos ecte më, ka braktisur sportin aq të dashur për të. Njësoj sikur të martohesh, bësh fëmijë, të jetosh i lumtur dhe dikush të të thotë se duhet të ndahesh dhe të ikësh në një vend tjetër për të jetuar i vetëm… Diçka që mbrojtësi po përjeton, pas operacioneve të radhës dhe pas problemeve që frenuan karrierën e tij. Një rrëfim pa doreza dhe i sinqertë ai i mbrojtësit, që vendosi të thotë mjaft. Një histori e lindur që në fëmijëri dhe që mbaron tani. Për “Sport Ekspres”, Fagu tregon gjithçka, që nga zanafilla…

– Si nisi karriera? Kush influencoi tek ju?
– Karriera ime, si çdo moshatar, ka nisur nëpër rrugët e lagjeve. Më pas, sigurisht u futa në ekipet zinxhir të moshave kur isha 7-vjeç. Ndikim të madh tek unë ka pasur babai, i cili më ka shtyrë gjithmonë pavarësisht dëshirës time të madhe për t’u bërë një futbollist profesionist.
– E mban mend ndeshjen tënde të parë? Çfarë emocionesh keni përjetuar?
– Ndeshja ime e parë ka qenë me Tiranën, luanim për Kupë, kundër Tërbunit. Atëherë kam qenë 16 vjeç, trajner i bardhebluve ka qenë Sulejman Mema. Ishte një emocion i papërshkrueshëm, pasi luaja me lojtarë të mëdhenj të Tiranës në atë kohë.
– Kush është momenti më i gëzuar në karrierë?
– Momenti më i gëzueshëm në karrierë ka qenë thirrja në Kombëtare nga De Biazi. Jam gëzuar shumë, pasi çdo lojtar dëshiron të shkojë në Kombëtaren e madhe.
– Keni fituar shumë tituj: mund ta përzgjidhni dot më të bukurin?
– Titulli më i bukur për mua ka qenë ai në vitin e dytë me Skënderbeun, ku rivalizuam deri në fund me Teutën. Them i bukur, pasi u riktheva nga dëmtimi i vështirë që pata dhe kapa formacionin sërish.
– Tirana, Elbasani, Teuta, Besa dhe Skënderbeu: ku jeni ndjerë më mirë?
– Kam kaluar shumë mirë në çdo ekip po sigurisht në Korçë kam kaluar vite të bukura, pasi qëndrova dhe më shumë kohë aty, duke fituar dhe 4 tituj dhe një Superkupë.
– Ju keni operuar të dy gjunjët. Sa e vështirë ishte rikthimi, duke qenë se gjithçka riniste nga e para, sa herë kaloje një vështirësi?
– Ka qenë tepër e vështirë për mua, pasi kisha dy dëmtime shumë të rënda. Dhe përveç rikthimit në fushë, duhet të fitoja sërish një vend titullari në një ekip që ishte i mbushur me kampionë. Një vend të cilin e fitova me shumë mund dhe djersë.
– U kthyet në Portugali, por aty dëmtuat edhe kaviljen. Çfarë vendimi keni marrë?
– Në Portugali pësova një dëmtim shumë të rëndë pasi theva kaviljen. Ka kaluar fiks një vit nga ai moment dhe për një vit iu përkushtova rikuperimit të kaviljes. Kam kryer shumë vizita si brenda dhe jashtë shtetit. Por, ky dëmtim nuk kishte shërim. Kam patur fatin pak a shumë të Van Bastenit, i cili e la futbollin nga një dëmtim afërsisht si ky. Pas shumë përpjekjesh për t’u rikthyer mund të them që tani jam jashtë futbollit të luajtur, gjë për të cilën më vjen shumë keq, pasi erdhi më shpejt nga sa e kisha menduar.
– Sa e vështirë ishte për të marrë vendimin e tërheqjes nga futbolli?
– Do të thoja që ishte shumë e vështirë, pasi nuk e prisja një gjë të tillë kaq shpejt. Kam luftuar me veten për rreth një vit, por nuk ia dola. Ka qenë periudha më e errët e karrierës time.
– Kush është pengu juaj në karrierë? Mund të themi mosrikthimi tek Tirana?
– Sigurisht, pengu më i madh ka qenë rikthimi te ekipi zemrës. Në dy vitet e fundit kam qenë shumë pranë kalimit aty, por për rrethana të ndryshme nuk shkova. Dhe më ka mbetur peng, pasi aty u rrita si futbollist dhe doja të fitoja tituj me fanellën bardheblu.
– Tani si tifoz, sa e përkrah ekipin bardheblu të kryeqytetit?
– Me lënien e futbollit tani mund të them që e ndjek Tiranën në çdo ndeshje. Pasi një gjë të tillë e bëja dhe kur isha i vogël.
– Kush e fiton kampionatin sipas jush?
– Është e vështirë të japësh parashikime për këtë kampionat që është ndër më të fortët në këto vitet e fundit. Në 5 vendet e para ka ekipe shumë të mira dhe të forta. Mendoj që titulli do zgjidhet në javët e fundit.
– Me çfarë po merresh tani që ke lënë sportin?
– Për momentin jam “pa punë” (qesh). Nuk e di, do shikoj me çfarë mund të merrem, pasi kjo që më ndodhi ishte diçka që nuk e kisha parashikuar. Se mendoja veten pa futboll. Të shikojmë…
– Presidenti më i vështirë dhe ai më i mirë?
– Presidenti më i vështirë ka qenë Nexhat Bizhdili. Një njeri me zemër të madhe, i cili donte të fitonte medoemos çdo ndeshje. Më i miri ka qenë Agim Zeqo. Nuk ka qenë vetëm president, por ka qenë dhe një “shok”, jo vetëm për mua, por për të gjithë lojtarët. Nuk mund ta harroj atë që ka bërë për mua personalisht pas dëmtimeve të pësuara, ku më është gjendur pranë çdo moment. Po ashtu dhe Ardian Takaj, sepse është një president që do të donte ta kishte çdo skuadër.
– Shoku më i mirë që keni lënë pas në sport?
– Kam pasur shumë shokë të mirë në çdo ekip që kam luajtur. Me Endri Vrapin kemi luajtur bashkë për 8 vjet, ashtu si edhe me Shkëmbin, Shehin, Arapin, etj. Janë shumë. Edhe me Gjergji Muzakën, të cilin e kam shumë mik dhe vazhdoj të takohem megjithëse nuk na lidh më futbolli.
– Keni arritur edhe Kombëtare, por dëmtimi më pas ju penalizoi…
– Thashë dhe pak më sipër: thirrja në Kombëtare ishte kulmi im si futbollist. Mund të kisha shkuar shumë larg, por ai dëmtim më hoqi mundësinë për të vazhduar ëndrrën. Gjithsesi, kënaqësi ishte dhe për aq kohë sa u grumbullova.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here