Evangjelia Veli pranë podiumit, e katërta në Europian

0

Gjergj Vyshka

Evangjelia Veli, peshëngritësja shqiptare e peshës deri në 53 kilogram, nuk ka shkuar më shumë se sa vendi i katërt në dygarësh në Kampionatin Europian të të rriturve, që është duke u zhvilluar në Split të Kroacisë. Në fakt, krahasuar me rezultatin që ka pasur përpara një viti në Evropianin e Fjordes në Norvegji, teksa ishte në vendin e pestë në dygarësh, ka rritje. Sikurse ka rritje dhe krahasuar me rezultatin që ka pasur dhe në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, ndërsa në peshën 53 kilogram u rendit e teta. Ka qenë një garë e vështirë për të, sepse në gjashtë prova që ka pasur, tre në stilin e shkëputjes dhe tre në stilin e shtytje, ka realizuar vetëm dy dhe ka djegur katër të tjera.

Shpëton në “fije të perit”

Nuk e ka nisur mirë garën e saj në stilin e shkëputjes, sepse në tentativën e parë për të ngritur shtangën në peshën 80 kilogram ka dështuar. Shtanga i ka ikur pas shpine dhe gjithçka është e parealizuar. E pasuksesshme dhe në tentativën e dytë për të ngritur 81 kilogram. Shansi i fundit ishte tentativa e tretë, që e ndante mes shpresës për medalje më pas në shtytje e në dygarësh e dështimit. 82 kilogram shtanga. E ka ngritur shtangën me gjunjët e përkulur dhe me shumë sforco është ngritur dhe gjithçka ka qenë e rregullt. Ka lot që në momentin që shtangën e ka pasur mbi shpatulla tashmë me provën e realizuar. Por lot dhe gëzim e përqafim dhe me trajnerin e saj dhe e pesta në shkëputje. Në shtytje e nis gjithçka mirë kur ka realizuar provën e parë me 100 kilogram. Por më pas nuk realizon dot dy tentativa me 104 kilogram dhe përfundimisht është e peshta. Veçse me totalin 182 kilogram është në vendin e katërt. Së paku i ka dhënë pikë Shqipërisë, ndërsa kështu i ka dhënë pikë kombëtares. Por ka djegur shansin e parë të Shqipërisë për medalje në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rritura.

E marta dhe e mërkura me shans

E marta dhe e mërkura mund të jenë me shans për medalje për peshëngritjen shqiptare në Kampionatin Evropian të të rriturve në Split të Kroacisë. Gjithçka varet sot në mbrëmjë nga Briken Calja në peshën 69 kilogram për të rritur për meshkuj, si dhe nesër nga Romela Begaj në peshën 69 kilogram për të rritura dhe Daniel Godelli e Erkand Qerimaj për të rritur në peshën 77 kilogram. Të gjithë në Baterinë A. Dhe konkurrimin e Shqipërisë në Evropianin e Peshëngritjes e mbyllin Krenar Shoraj dhe Ermand Tabaku në peshën 85 kilogram Bateria B, si dhe Endri Karina në peshën 94 kilogram Bateria B.

 

Rezultatet teknike të peshës 53 kg

Shkëputje

  • Joana Loshovska (Poloni)      86 kg
  • Ateneri Hernandez (Spanjë) 86 kg
  • Bediha Tunahagi (Turqi)      84 kg
  • EVANGJELIA VELI (SHQIPËRI) 82 KG

Shtytje

  • Joana Loshovska (Polonia)      106 kg
  • Liudmilla Pankova (Bjellorusi) 106 kg
  • Ateneri Hernandez (Spanjë) 105 kg

5) EVANGJELIA VELI (SHQIPËRI)      100 KG

Dygarësh

  • Joana Loshovska (Poloni) 192 kg
  • Ateneri Hernandez (Spanjë) 191 kg
  • Liudmilla Pankova (Bjellorusi) 189 kg
  • EVANGJELIA VELI (SHQIPËRI) 182 KG
SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here