Euro 2020 vë në dilema të mëdha UEFA-n, qeveria europiane e futbollit ndryshon sërish mendje

Euro 2020 u shty pak ditë më parë zyrtarisht për vitin e ardhshëm për t’i lënë kohë federatave europiane që të përfundojnë kampionatet, të cilët tani janë të ndërprerë si pasojë e pandemisë Covid-19. Por kjo shtyrje ka vënë në dilemë qeverinë e futbollit europian, që nuk e ka ndarë mendjen e saj për emrin që ky kompeticion do të mbajë. Do të quhet Euro 2020 apo Euro 2021?

UEFA postoi fillimisht në faqen zyrtare në “Twitter” se emri do të mbetej i pandryshuar, megjithëse do të luhej në vitin 2021. Por shtëpia e futbollit duket të luhatet në vendimet e saj, pasi me anë të një tjetër postimi në “Twitter” përgënjeshtrojnë vetveten, duke kërkuar ndjesë pasi reagimi i mëparshëm ndodhi si pasojë e një gabimi.

“Ju kërkojmë ndjesë për atë çfarë kemi thënë më parë, por asnjë vendim nuk është marrë ende. Postimi i mëparshëm ishte një gabim”, shkruan UEFA në faqen e vetë zyrtare./Sport Ekspres/