Ethemi: Nuk duhet nënvlerësim, nuk kemi humbur cilësi

Valon Ethemi është një ndër të paktit lojtar nën 21 vjeç që ka mundur të fitojë një fanellë titullari tek Kukësi. Duhet veçuar se mesfushori anësor ka luajtur saktësisht 50 ndeshje zyrtare me nënkampionët e vendit. Nuk është pak për 21-vjeçar, i cili luan vetëm sezonin e dytë me Kukësin.

Në një prononcim për “RTSH Sport” Ethemi thekson se skuadra ka cilësi, pavarësisht se ka pësuar shumë ndryshime. Sa i përket ndeshjet së ardhshme 21-vjeçari shprehet se trajneri ka këshilluar shumë gjatë kësaj kohe që të mos e ulin aspak vigjilencën për sfidën e radhës, edhe pse do të ndeshen me skuadrën e cila ndodhet në fundin  klasifikimit.

“Na janë larguar disa lojtarë, por nuk kemi humbur cilësi. Jemi ende një nga skuadrat më të mira në Superiore. Si çdo lojtar uroj të luajë në çdo ndeshje. Jam përgatitur mirë dhe shpresoj të jem në fushë”.

“Duhet t’i lëmë pas ndeshjet që kanë kaluar dhe të shohim përpara. Duhet që të rikuperojmë sa më shumë pikë në ndeshjet e ardhshme. Gjithnjë na flet pozitivisht, na flet që të mos ta nënvlerësojmë Kastriotin, pasi dihet që Superiorja është shumë e fortë dhe nuk ka shumë diferenca mes ekipeve. Ne po stërvitemi fort për takimin  radhës”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *