“Është Mesi e Ronaldo, pastaj unë dhe shkelmat e mi”, braziliani i vetëshpallur interist i shkel syrin Juves: Kthehem nëse më telefonojnë

Felipe Melo ka qenë tepër aktiv me deklaratat e tij në media ditët e fundit dhe gjithçka nisi pas asaj polemike të krijuar nga fjalët e Kielinit në biografinë e tij, ku e quante ish-shokun e skuadrës “mollë e kalbur”. Por pavarësisht armiqësisë së lindur mes tyre, braziliani nuk do i thoshte jo një rikthimi te Juventusi. Pak ditë më parë do të shprehej se është një interist, megjithatë një telefonate nga Ronaldo do i përgjigjej me “po”. Ndërkohë përmend edhe lojën e tij të ashpër, duke thënë se pas lojtarëve që bëjnë diferencën si Mesi e Ronaldo vjen ai me shkelmat e tij.

“Ka lojtarë që bëjnë ndryshimin si Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar … Pastaj jam unë, Felipe Melo dhe shkelmat, diçka që unë e bëj shumë mirë. Por nuk jam vetëm kaq. Unë gjithashtu arrita të jepja një assist për Robinho, një nga më të mirët në histori për mua, në Kupën e Botës 2010 kundër Hollandës. Njerëzit që mendojnë për Felipe Melo e konsiderojnë më së shumti për shkelmat, por unë nuk jam vetëm për të shkelmuar. Nuk shkova te Juventus, Inter, Fiorentina, Galatasaray për goditjet që dhashë në fushë. Kam fituar 15 trofe, gjithashtu kam njëfarë cilësie. Nëse Juve më telefonon për të luajtur me Ronaldon, unë do të kthehem. Barcelona e donte De Ligt, por Cristiano Ronaldo e telefonoi dhe tani është në Juve, vetëm 20 vjeç”, ka deklaruar Felipe Melo për “Ole”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *