Është epoka e Realit, është epoka e Zinedin Zidan!

Mund të flasim pa fund epokën Ronaldo, por e vërteta është se ky Real ka fytyrën e Zinedin Zidan. Trajneri francez, një legjendë si futbollist, tashmë është një legjendë edhe si trajner. Saktësisht, Zidan është një ndër trajnerët më fitimtarë në historinë e Realit, duke u kthyer në një legjendë, në rangun e Di Stefanos, Gentos, Migel Munjozit dhe Kristiano Ronaldos.

Rëndësia e Zidan në historinë e Realit është e padiskutueshme, fillimisht si futbollist dhe tashmë si trajner. Triumfi ndaj Liverpulit e fut në Olimpin e Los Blancos, pasi rëndësia e francezit për historinë e Realit është e pabesueshme.

Është epoka e dytë më e suksesshme e Realit në Kupën e Kampioneve/Champions League, sepse Zidan fitoi trofeun numër 9 si futbollist, atë numër 10 si ndihmës i Ançelotit dhe më pas rreshtoi kupat numër 11, 12 e 13.

Zidan bëhet trajneri i parë që fiton tre herë rresht Champions League dhe më parë ishte bërë i pari trajner që e mbronte trofeun në Champions. Dy Champions rresht ishte një arritje historike, por tashmë janë tre të tilla rresht dhe nuk ka më elozhe për këtë arritje.

Zidan ka fituar tre herë trofeun më të rëndësishëm europian në vetëm 2 vite punë, sepse në janar 2016 u bë trajner i parë. Me të drejtë, tani e tutje Zizu duhet trajtuar si një trajner me eksperiencë të madhe, sepse ka fituar po aq sa emra si Ferguson, Guardiola, Murinjo, Del Boske, Hajnkes, Hicfeld e Saki.

Champions, Superkupë Europe, Botëror Klubesh, Liga, Champions, Superkupë Spanje, Superkupë Europe, Botëror Klubesh, Champions… Kjo është trajektorja e pabesueshme e Zidan në Madrid, si trajner. Një trajner i prerë për Champions, sepse në 33 ndeshje aty ka fituar 3 trofe!

One thought on “Është epoka e Realit, është epoka e Zinedin Zidan!

  1. Epoka e leshit, me trukime dhe dhune sportive! Ndryshe nuk mund ti nxirrte milionat qe investon. E dinin qe pika me e forte e Liverpulit ishte Salah dhe ja bene pucin me ushtarin e betuar S.Ramos. Ky eshte Reali i Zidan!

    Feedback miqesor per Sportekspres: Urime per websiten e ri. Por idea e vendosjes se marketing-popups ne cdo faqe qe viziton eshte shume jo-profesionale! Nuk jam kunder marketingut, por kjo menyre eshte shume invazive! N.q.s nuk deshironi te ulni numrin e vizitoreve, merrni masa. Respekte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *