“Është dashuruar” me futbollistët e Superiores, klubi turk i vihet pas talentit të Tiranës

Turqia prej disa vitesh është kthyer në tokën e premtuar për futbollistët shqiptarë. Shumë të tillë kanë bërë hapin e radhës në karrierën e tyre pikërisht në kampionatin turk, duke e përdorur në njëfarë mënyre si një mundësi mjaft të mirë për t’u katapultuar më pas në liga edhe më të forta. Selmani dhe Domgjoni janë rastet më të fundit, që kanë arritur të bindin ekipin e Menemesporit për të siguruar shërbimet e tyre.

Por klubi turk me sa duket është “i dashuruar” me lojtarët shqiptar dhe këtë herë ia ka vënë syrin një tjetër futbollisti të Superiores. Zgjidhjen tashmë e shohin te bardheblutë e Tiranës, ku sipas asaj që raporton media “Sabah” po vëzhgojnë talentin e tyre, Ernest Muçi. Sulmuesi 19-vjeçar ka bërë mjaft mirë këtë sezon dhe një meritë këtu ka edhe Egbo, i cili i ka besuar më tepër minuta në fushën e lojës.

Sigurisht që ky besim është shpërblyer në fushën e lojës me anë të golave, ku hera e fundit kur Muçi ka tundur rrjetën ishte pikërisht ai në derbi ndaj Partizanit me një perlë nga goditja e dënimit. Me sa duket Menemespori e ka ndarë mendjen për të rrëmbyer talentin premtues shqiptar, ndërsa mbetet për tu parë nëse gjithçka do të finalizohet, pasi Tirana nuk dëshiron të heqë dorë lehtë nëse në tryezën e tyre nuk vjen një ofertë bindëse./Sport Ekspres/