“Është arritur marrëveshja”, Shkëmbi mund të buzëqeshë

Teuta ka shitur te Shaktor Soligorski sulmuesin kryesor të saj, Latif Amadu, ndërkohë që drejtuesit janë gati të sjellin një tjetër lojtar në ekip që ta zëvendësoje. Emri i tij është bërë i ditur para pak ditësh dhe bëhet fjalë për Radoslav Vasilev.

“Kanë arritur një marrëveshje me një sulmues bullgar, nesër (sot) do jetë verdikti final”, është shprehur gazetari Ylli Aga mbrëmë në emisionin “Zona Gol” në Supersport. Vasilev është një sulmues me CV të pasur, madje është edhe pjesë e kombëtares së Bullgarisë.

Janarin e shkuar ai i është bashkuar Çerno More në Bullgari dhe ka arritur të realizojë 9 gola për një vit. Në pjesën e parë të këtij sezoni ka shkuar tre herë të rruga e rrjetës, ndërkohë që në 17 ndeshje 11 herë është përzgjedhur titullar nga stafi teknik i klubit bullgar.

Alki Oroklini, në Qipro, ka qenë një nga ekipet e tjera të Vasilev, ndërkohë që 28-vjeçari është aktivizuar edhe me Slavia Sofia, Lyubimets dhe Septemvri Sofia. Në vitin 2007 sulmuesi la Bullgarinë dhe ju bashkua Riding U18, por nuk ia doli të çante në futbollin anglez dhe pas tre vitesh u rikthye te Slavia Sofia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *