Esat Mala rrëfen dëshirën: Të luaj në “Champions League”, si rival shohim edhe Bylisin

Partizani ka fituar në transfertë me rezultatin 1-3 ndaj Vllaznisë në javën e tetë të Superiores. Falë golave të Çinarit dhe Asanit që erdhën në minutat e fundit, janë marrë pikët maksimale në një “Loro Boriçi” që ishte mbushur nga tifozët.

I ftuar në studion e “Supersport”, Esat Mala është shprehur i lumtur për suksesin e të kuqëve dhe se është ambientuar me pozicionin e ri, si mbrojtës i krahut të djathtë.

“Kam nisur të ambientohem me këtë pozicion. Ndryshe shihet ndeshja dhe ndryshe kur e luan. E filluam mirë dhe shënuam, por më pas ramë në gjumë. Vllaznia kishte gjithë entuziazmin dhe ne kemi marrë tre pikët që kërkoheshin. Sigurisht që vend për përmirësim ka gjithmonë. Kemi nisur të kuptohemi më tepër me Lerdën dhe me skemat e tij.

Sa i përket kundërshtarëve tanë për titull, kemi parë një ekip të fortë si Tirana, Teuta apo edhe Bylisi deri tani. Ëndrra ime është si çdo lojtari të ri në Shqipëri. Të luajë jashtë në kompeticionet më të forta në Europë dhe të marrë pjesë në “Champions League”. Sa i përket Kombëtares A, po punoj për të”, ka thënë Mala. /Sport Ekspres/