Erzeni ndahet me Bubeqin, Kalleshi merr drejtimin

Nuk dihen arsyet e mosrinovimit të shijakasve me trajnerin kavajas…

Glen Domi

Erzeni dhe Bubeqi nuk arrijnë një marrëveshje mes tyre për sezonin e ri, ndonëse pak ditë më parë ishte konfirmuar qëndrimi i trajnerit kavajas në stolin e skuadrës shijakase, madje, kishin nisur edhe projektet për të rikthyer ekipin në elitë. Mirëpo, kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nga dje, Bubeqi dhe Erzeni janë ndarë…

KALLESHI – Ndërkohë, shijakasit nuk kanë humbur kohë por kanë gjetur menjëherë teknikun e ri që do të pasojë Bubeqin. Sabri Kalleshi do marrë në dorë drejtimin e skuadrës. “Biqa” siç thërritet nga sportdashësit shijakas ka qenë një “ikonë” e futbollit shijakase dekada më parë. Tashmë, ai rikthehet dhe merr në dorë drejtimin e skuadrës për të ndërtuar një ekip pretendent.

BUBEQI – Largimi i Bubeqit është pasuar nga disa falënderime prej tij: “Falënderoj shumë klubin e Erzenit për sezonin që ne lamë pas. Nuk harroj pa falënderuar tifozët e zjarrtë, si dhe i uroj ekipit shumë suksese”, tha trajneri kavajas, i cili shumë shpejt pritet që të zyrtarizohet në një tjetër skuadër me pretendime.

KEÇI – Sakaq edhe shefi i klubit shijakas, Altin Keçi, ka falënderuar Bubeqin për punën e tij gjatë një viti në radhët e skuadrës. Erzeni, tashmë është në ndërtim e sipër dhe pritet që shumë shpejt të fillojnë edhe zyrtarizimet e para. Klubi shijakas, prej kohësh ka qenë në kontakt me disa lojtarë dhe pritet vetëm kalimi i letrave nga klubet përkatëse të futbollistëve dhe zyrtarizimi i tyre në radhët e skuadrës së Erzenit.

FINANCAT – Drejtuesit e klubit, janë gjithashtu në pritje të miratimit të buxhetit, i cili është i garantuar nga Kryetari i Bashkisë së Shijakut, i cili në dy vitet e fundit ka investuar jo pa për futbollin. Lëvizjet në klub kanë qenë të shumta, me largimin e disa futbollistëve, por nuk mbetet me kaq. Do të ketë edhe të tjera largime siç bëjnë të ditur drejtues të skuadrës, e natyrisht edhe afrime cilësore. Këtë sezon, shijakasit do të hynë në garë me synimin e vetë, rikthimin në elitë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *