Eros Grezda e kujton me nostagji super ekipin, tani janë yjet e shuara të Kombëtares

Periudha e karantinimit duket se ka ndezur nostalgjinë te sulmuesi shqiptar, Eros Grezda. Ky i fundit ka shpërndarë në rrjetin e tij social një foto të 4 viteve më parë, kohë kur ishte me Shpresat e Shqipërisë. Bashkë me të shihen edhe 4 futbollistë të tjerë që mbronin ngjyrat kuqezi, Vojvoda, Rrahmani, Gavazaj dhe Latifi. Një grup lojtarësh me cilësi të mëdha që jo më kot shiheshin nga të gjithë si e ardhmja e Kombëtares sonë. Por koha foli ndryshe, teksa ndriçmi i këtij ekipi yjesh nuk po ndihet më në qiellin e kuqezinjve.

Dyshja Vovoda-Rrahmani zgjodhën të largoheshin për të përfaqësuar fanellën e Kosovës, ndërsa 3 lojtarëve të tjerë karriera nuk u shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Gavazj ishte pjesë e kampionatit belg me klubin e Gent që zotëronte kartonin e tij, por eksperienca në Europë nuk do të shkonte ashtu siç ai e priste, ndërsa tani e sheh veten në Superiore duke hyrë në fushë me fanellën e Kukësit. Nga ana tjetër Latifi e nisi me kampionatet shqiptare në Kosovë, ndërsa kulmin e pati në Shqipëri me Kukësin e Skënderbeun. Paraqitjet e mira do i siguronin një mundësi në elitën hungareze, ku për hir të së vërtetës ishte larg atij shkëlqimi që pati në kampionatin shqiptar, ndërsa aktualisht është pjesë e Sherif Tiraspolit në Moldavi.

Ndërkohë në krahun tjetër kemi Eros Grezdën, një lojtar që me cilësitë e shfaqura në fushë rrëmbeu zemrën e gjithë shqiptarëve, duke besuar se tashmë e kishin gjetur njeriun e duhur në sulmin e Kombëtares. E pas shpërthimit në Kroaci gjigantët skocezë të Rangers u vunë pas tij, duke e e vendosur nën urdhërat e një legjende si Gerrard. Një mundësi që të vjen rrallë në jetë e që duhet kapur fort për të mos e lëshuar më kurrë. Por ky nuk ishte rasti i futbollistit shqiptar, që përpos pozicionit të titullarit hasi vështirësi në sigurimin e një vendi në stolin e rezervave, teksa trajneri e dërgoi të luante me të rinjtë, madje duke u shprehur se nuk do të kishte më hapësir për të në ekip të parë për sa kohë Gerrard ishte në krye të pankinës. Në këto kushte e vetmja zgjidhje mbetej hedhja e një hapi pas, duke u rikthyer sërish me Osijek, por që fatkeqësisht as aty nuk po ia del të shfaqë më të mirën prej tij.

Pra kemi të bëjm me një ndryshim i madh, ku nga ideja e një Kombëtareje të varura nga këmbët e kësaj pesësheje, tashmë 4 vite më pas, Kombëtarja nuk sheh në fushën e blertë asnjë prej tyre të veshur me ngjyrat kuqezi./Sport Ekspres/