Erkand Qerimaj ose “I fundit i Mohikanëve”

0

Intervista/ Peshëngritësi shkodran flet për rikthimin në pedanë pas dëmtimit, për objektivat, për momentin e vështirë të shtangës kuqezi dhe jetën private

 

Pas marrjes së rezultatit pozitiv edhe në testin B nga të gjithë medalistët e kampionatit të fundit Botëror, zyrtarisht peshëngritja shqiptare është në zi! E në një kohë të tillë, flamuri i kësaj federate është në gjysmë shtizë. Të paktën valëvitet, pa shkëlqim, por valëvitet në saj të sukseseve që i fali kampioni i Evropës, Erkand Qerimaj.

Viti që lamë pas ishte shumëfaqësh, në kalvarin e gjatë të emocioneve që përjetuam padyshim ndër më të fortat ishte kurorëzimi i 26-vjeçarit nga Shkodra me medaljen e arit në kryeqytetin e Izraelit, Tel Aviv. E tashmë viti 2015 i ngarkon atij mbi shpatulla një peshë ndoshta edhe më të rëndë se kilogramët e rekordeve botërore, një detyrë që e kthen Erkandin në hero të kohëve moderne. Ai i vetëm duhet të mbajë lart emrin e peshëngritjes shqiptare!

Në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Press”, ai na njeh me mendimet e tij dhe hedh dritë mbi situatën që po kalon peshëngritja shqiptare.

 

– Erkand si erdhi dëmtimi që ju kushtëzoi Europianin?

– Dëmtimi erdhi si pasojë e ngarkesave shumë të mëdha dhe garave të shumta të zhvilluara brenda një periudhe të shkurtër kohore. Duhet të kisha bërë një kohë pushim vitin që kaloi, por kur nuk ke as doktor, as fizioterapist në stërvitje do të ndodhin edhe të tilla probleme. Për të ngritur flamurin e shtetit duhen kushte të mira, trajnime të mira dhe investime.

– A mendoni se për botëror do të jeni plotësisht i gatshëm?

– Po, kam besim se pas disa kohësh pushimi pa pesha, pas fizioterapisë dhe notit ashtu siç më tha doktori italian bashkë me doktorin Mel Ostreni do të jem gati për botëror.

– Me çfarë synimesh shkoni në Botëror?

– Synimet janë kualifikimi në Olimpiadë dhe medalje.

– Procesin e riaftësimit do ta kryeni në Shqipëri apo jashtë?

– Këtu në Shqipëri besoj, pasi nuk është gjendja alarmante nuk kam nevojë për ndonjë ndërhyrje vetëm për pushime nga peshat dhe fizioterapi, pastaj nëse has ndonjë vështirësi do të udhëtoj përsëri drejt Italisë të këshillohem me mjekun. Sportistët bëjnë pushime pas rezultateve të larta apo dëmtimeve. Kampioni kinez dhe nënkampioni nuk erdhën në botëror se ishin të dëmtuar, erdhi një kinez tjetër ndërsa kampioni i botës për Kazakistanin, Ilia Ilin do të bëjë një vit pushim të bëhet gati për Olimpiadë.

– A keni frikë në një pezullim të Federatës që do t’iu penalizonte edhe juve?

– Deri në momentet që po flasim nuk kam asnjë informacion për pezullimin e ekipit Kombëtar. Edhe në takimet që kam pasur me përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes nuk ka asgjë zyrtare që mund të aludohet apo komentohet për momentin.

– Por frika ekziston…

– Për të qenë realist është një situatë e vështirë dhe frika ekziston!

– Sipas jush penalizimet mund të prekin edhe Botërorin?

– Nuk ka logjikë të jenë kolektive, nuk mund të pezullohet gjithë ekipi! E përsëris që nuk ka logjikë, nuk ka sens të ndodhë diçka e tillë. Në takimet që kam pasur me presidentin Elez Gjoza më ka siguruar që nuk rrezikojmë pjesëmarrjen në Botëror dhe në Olimpiadë.

– Ju ishit i vetmi që nuk udhëtuat me ekipin për fazën përgatitore para botërorit. Përse?

– Kështu e vendosëm bashkë me trajnerin tim personal Zef Kovaçi. Të kryenim fazën përgatitore në malin Rugovë të Kosovës. Menduam se kjo ishte më e mira për mua dhe jam stërvitur vetëm me trajnerin tim me të cilin u shpallëm Kampion Europe në Tel Aviv me anë të fazës përgatitore që bëmë në Tiranë, pa pasur nevojë që të shkonim jashtë vendit.

– Nuk ka asgjë përtej kësaj? Pasi është krijuar ideja se marrëdhënia juaj më z. Gjoza dhe pjesëtarët e tjerë të ekipit Kombëtar nuk është më e mira e mundshme.

– E mira nuk ka fund! Marrëdhëniet e mia me Federatën janë institucionale, të rregullta edhe me pjesëtarët e ekipit është e njëjta gjë. Gjithçka është reciproke. Jo, jo nuk ka asgjë tjetër, unë nuk e zhvillova stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit vetëm për mospërputhje mendimesh mbi përgatitjet para kampionatit.

– Erkand a besoni në një komplot që i është bërë ekipit shqiptar në Greqi?

– Nuk mund të bëj aludime për askënd!

– Së fundmi jeni vlerësuar me çmime mjaft të rëndësishme nga Bashkia Shkodër, si sportisti më i mirë i vitit dhe keni marrë edhe “medaljen e meritës”. Diçka më shumë për këto tituj.

– Në fakt unë me tituj jam mësuar që i vogël, pasi edhe rezultatet e mia me medalje e rekorde europiane dhe botërore janë tituj me një peshë të jashtëzakonshme për karrierën e një sportisti. Normalisht çdo çmim ka rëndësinë e vet dhe secili të jep emocione të ndryshme, titullin si sportisti i vitit nga Bashka Shkodër e kam prenotuar pasi ka disa vite me radhë që e marr. Një titull i një rëndësie të veçantë që i shtohet dhomës time të trofeve është “Medalja e Meritës”. Aty u vlerësova si një ndër sportistët më të mirë të shekullit, një privilegj shumë i madh për mua. Pastaj e bëri më të bukur edhe organizimi model nga ana e z. Muhamet Malo që gjej rastin ta falënderoj, sepse ka bërë shumë të mira për sportin shqiptar e për mua personalisht.

– Si është Erkandi jashtë kostumit të peshëngritësit?

– Në fakt do të kisha preferuar që për këtë pyetje të përgjigjej një person që më njeh mirë pasi është gjithmonë e vështirë të përshkruash veten. Unë vitet e rinisë ja kam kushtuar sportit dhe shkollës. Jam diplomuar në Universitetin “Marin Barleti” në degën drejtësi, duke kaluar provimin e licencës në shtet dhe zyrtarisht kam marrë titullin, avokat. Vazhdoj studimet master në Universitetin e Sporteve “Vojo Kushi”. Koha ime e lirë është e limituar, por gjithmonë kur e gjej atë preferoj të lexoj ndonjë libër, të frekuentoj kinemanë bashkë me të fejuarën time, të dal me njerëzit e afërt, por më pëlqen të frekuentoj edhe ambientet me muzikë. Pjesa më e madhe e ditës time të zakonshme i kushtohet regjimit dhe stërvitjes.

– Kush është motivi kryesor që ju jep forcë për të vazhduar përpara?

– Motivi kryesor është besimi. Besimi në Zot dhe tek vetja. Besoj se Zoti më ka falur talentin dhe nuk duhet të humbas kohën, por çdo ditë të bëj përpjekjet maksimale për të treguar vlerat e mia në të gjitha aspektet si sportive, jetësore e morale. Besoj tek vetja pasi në momentin që e kam të qartë objektivin tim, luftoj me të gjitha mënyrat dhe me gjithçka për t’ia arritur, pavarësisht pengesave të përditshme.

– Si ishte viti 2014 për ju?

– Një vit suksesi për mua pasi u shpalla Kampion Europe. Një vit i cili solli shpërblimin e sakrificave që kemi kaluar unë dhe familja ime. Padyshim ato meritojnë gjithçka pasi kujdesen dhe përkushtohen shumë për mua çdo sukses i imi i dedikohet atyre.

– Çfarë pritni nga 2015?

– Podiumin e radhës!

– Erkand, ëndërrojmë të shohim flamurin shqiptar të ngritur në Olimpiadë. A duhet t’i shtojmë besim kësaj ëndrre?

– Ëndrrat duan shumë punë dhe përkujdesje nga ana e institucioneve që të bëhen realitet, e kjo pikë është thembra e Akilit për ne. Pse jo? Në qoftë se do të kem kujdesin e institucioneve dhe përkrahjen për të luftuar në të njëjtin qëllim gjithçka mund të ndodhë. Besim duhet të kemi dhe të punojmë çdo ditë e më fort për t’ia dalë.

Intervistoi: Eraldo Harlicaj

 

 

 

39 medalje

ndërkombëtare numëron Erkand Qerimaj nga të cilat 20 ari, 11 argjendi e 8 bronzi.

 

6 rekorde

ndërkombëtare ka vendosur shkodrani: 2 në Europianin për të rinj, 2 në Botërorin për të rinj dhe 2 në Lojërat Mesdhetare.

 

7 herë kampion

Është shpallur Qerimaj: Kampion i Europës U-17 2 herë; Kampion i Europës për të Rinj 1; Kampion i Europës për të Rritur 1; Kampion i Botës për të Rinj 2; Kampion i Lojërave Mesdhetare 1.

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here