Eriksen është vetëm një hap larg Interit, Murinjo: Nuk jam idiot dhe e di shumë mirë

Eriksen është dëshira kryesore e Kontes për merkaton e janarit, në mënyrë që të përforcojë sa më shumë ekipin e Interit. Zikaltrit kërkojnë të fitojnë titullin kampion në Seria A dhe për të mbërritur deri këtu nuk është e lehtë.

Sidomos nëse organika e tyre krahasohet me Juventusin, që ka diferenca të mëdha në emra, megjithëse në pikë nuk është shumë e madhe. Në orët e fundit ka më tepër afrim të Eriksen dhe Interit, që pritet ta mbyll marrëveshjen brenda pak ditësh.

Duket se edhe vetë mesfushori danez e ka mendjen te ky transferim dhe po ndikon te niveli i treguar te Totenhemi. Këtë e ka pranuar edhe vetë trajneri Murinjo: “Unë nuk dua ta fajësoj apo kritikoj Eriksenin. Është normale që nuk po luan në nivele të larta tani. Nëse ju më pyesni mua për arsyen që e ka ulur disi fluturimin, nuk jam idiot. Jam i lidhur me futbollin prej vitesh dhe e di shumë mirë që këto situata nuk i lënë lojtarët që të paraqesin vetveten e tyre”, ka thënë tekniku portugez. /Sport Ekspres/