Ergys Muhametaj, mes talenteve më të mëdhenj të basketbollit botëror

16-vjeçari i Kamza Basket, Ergys Muhametaj, në rankingun botëror të bërë nga FIBA për datëlindjet 2001 është renditur i 28-ti në 100 vendet e para (renditja për sportistë joamerikanë). Që do të thotë i 28-të në renditjen botërore për moshën e vet, ndërsa qëndron përkrah lojtarëve të moshave të ekipeve me emër në botë në basketboll si Real Madrid, Barcelona, Fenerbahçe e kolegjeve amerikane.

Pa dyshim që kjo është arritja më e madhe që ka pasur ndonjëherë një basketbollist i ri shqiptar në historinë e basketbollit të vendit tonë. Ka marrë pjesë në dy kampionate Evropiane me kombëtaren e gjashtëmbëdhjetëvjeçarëve të Shqipërisë, por ka pasur kërkesa për të qenë edhe tek tetëmbëdhjetëvjeçarët. Në Qipro me U-16 më 2016 edhe pse ishte vetëm 15 vjeç doli më i miri i kombëtares shqiptare U16 sipas statistikave. Edhe sivjet në Andorra doli më i miri në pozicionin e vet në gjithë Kampionatin Evropian U16. Kërkesat për talentin e Kamza Basket, Ergys Muhametaj, kanë qenë të mëdha e vazhdojnë të jenë nga ekipe në Greqi, Turqi, Itali, Lituani, Kroaci, Kosovë. Por mbi të gjitha dhe nga ekipe të kampionatit tonë si Tirana, apo Teuta. Karriera e tij basketbolliste filloi me ekipin U-12 të ekipit Kamza Basket më pas ka luajtur me të gjitha ekipet zinxhir të këtij klubi dhe që prej 3 vitesh është pjesë e ekipeve kombëtare në aktivitetet që FIBA organizon. Ndikim të madh në maturimin e tij të shpejtë si basketbollist kanë ndikuar babai i tij, trajneri i mirënjohur Adem Muhametaj, si dhe vëllai i tij, Gledis Muhametaj, i cili edhe ai është trajner i ekipeve të moshave të Kamzës. Është i vetmi basketbollist në Shqipëri që luan me tre grupmoshat e Kamzës, paratërinjtë, me të rinjtë dhe me ekipin e të rriturve, i cili e quan përgjegjësi të madhe për të punuar më shumë. E me të tilla të dhënë, Muhametaj premton shumë. Premton që të japë kontributin maksimal që Kamza të ngelet gjithmonë në elitën e basketbollit shqiptar. Ja dhe intervista e tij për Sport Ekspres…

 

  • Dëshira për t’u bërë basketbollist lindi prej babait tuaj që është një trajner i mirënjohur, apo prej pasionit që keni për këtë sport, ndonëse është sport jo i zhvilluar…
  • Padyshim që të dyja së bashku kanë ndikuar. Fatmirësisht babai im ka luajtur basketboll e tani është trajner, vëllai im aktualisht luan basketboll dhe është po ashtu dhe trajner i moshave njëkohësisht. Unë që i vogël jam rritur në gjirin e një ekipi si Kamza Basket kampion dhe fitues i të gjitha trofeve për vite me radhë në këtë sport në Shqipëri. Kam pasur rastin e madh të jem afër lojtarëve me të mëdhenj shqiptar të kohëve të fundit.
  • Cilat ishin hapat tuaj të parë në karrierën?
  • Për herë të parë kam luajtur me moshat U-12 të Kamza Basket me të cilin atë vit dolëm në 4 ekipet më të mira shqiptare. Më pas kam luajtur me të gjitha ekipet zinxhir të këtij ekipi dhe kam 3 vite që jam pjesë e ekipeve kombëtare në aktivitetet ndërkombëtare.
  • Ju jeni i vetmi basketbollist në Shqipëri që luani me tre grupmoshat e Kamzës, paratërinjtë, me të rinjtë, dhe me ekipin e të rriturve…
  • I jam përkushtuar shumë këtij sporti dhe shpeshherë kam pasur edhe fat. Jam pjesë e të gjitha këtyre ekipeve, por për momentin për mua është me shumë se përgjegjësi për të punuar më shumë.  
  • Po lojtarët e Kamzës me eksperiencë kanë ndikuar në ambientimin tuaj me ekipin e parë?
  • Të them të drejtën kam qenë shume i ri kur e kam parë veten afër Afrim Bilalit më pas dhe Erkand Karajit, Hysenagollit, Shimës e shumë e shumë lojtarë të tjerë që këto 2 dekadat e fundit kanë dhënë tonin e basketbollit shqiptarë.  
  • Lidhur me mbështetjen e kryebashkiakut Mziu për sportin e basketbollit, cili është mendimi juaj?
  • Një ndër kushtet mbështetëse për arritjet e mia ka qenë edhe dashamirësia e Kryetarit të Bashkisë, Xhelal Mziu, për sportin e basketbollit dhe krijimi i mundësive për tu marre me këtë sport kaq të bukur. E kjo jo vetëm për mua, por dhe për shumë djem e vajza të Kamzës.
  • Absolutisht jeni ndër talentet e rinj më të mëdhenj të basketbollit në Shqipëri, cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
  • Për momentin unë po stërvitem dhe po luaj një sport i cili më pëlqen jashtëzakonisht shumë dhe fatmirësisht jam në një grup mjaft të mirë dhe të gjithë bashkë ndihemi shumë komod për të vazhduar punën më me këmbëngulje. Kushtet që na ofrohen janë shumë të favorshme. Unë kam shumë për të falënderuar, por në veçanti do të falënderoj kryebashkiakun Mziu, i cili ka mbështetur sportin e basketbollit. Që do të thotë do punoj duke rritur vazhdimisht tempin për të arritur rezultate sa më të larta.
  • Në rang kombëtare ke përfaqësuar U-16 e Shqipërisë në shumë aktivitete, cilat kanë qenë rezultatet tuaj me kombëtaren e moshave?
  • Vjet në Qipro dola më i miri i kombëtares sipas statistikave. Dhe sivjet në Andorra isha më i miri në pozicionin tim.
  • Cilat janë avantazhet ndaj bashkëmoshatarëve tuaj?
  • Asnjë nga moshataret e mi nuk e ka pasur mundësinë dhe privilegjin të luajë me lojtarë kaq cilësorë në një ekip me emër, dhe me kushte të tilla, sigurisht edhe me dëshirën për sport.  
  • Çfarë synoni prej sezonit 2017-2018?
  • Ne sivjet kemi një ekip shumë të ri me moshe mesatare afër 20 vjeç, kemi edhe disa djem nga zona e jonë, Kamza, të cilët premtojnë. Do të mundohem që të jap kontributin tim maksimal që Kamza të ngelet gjithmonë në elitën e basketbollit shqiptar.

Intervistoi: Edmond Duraku

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *