Erdis Kraja në 360 gradë: E gjej veten te kultura shqiptare, më pëlqen Isco dhe Cassano

Erdis Kraja është një nga talentet më premtues shqiptar. Mesfushori luan me ekipin e ri të Palermos dhe ka spikatur shumë me aftësitë dhe lojën e tij. Lojtari 19-vjeçar ka dhënë së fundi një intërvistë për median italiane “La Repubblica”, gjatë së cilës zbulon futbollistin e tij të preferuar, si dhe flet edhe për krahasimin me Cassano-n.

Gjithashtu, Kraja ka prekur edhe temën e familjes dhe lidhjes së tij me Shqipërinë. Lojtari shqiptar ka treguar se si prindërit e tij erdhën në Itali, ndërsa është shprehur se i pëlqen të kthehet në rrënjët e tij dhe se e gjen veten mjaft mirë me kulturën dhe mentalitetin shqiptar.

“A më pëlqen Cassano? Më duhet të them se nuk kam dëgjuar dikë që t’i qaset atij. Më pëlqen ky krahasim. Lojtarët me karakteristikat e tij janë ata që unë ndjek më së shumti. Lojtari prej të cilit inspirohem më shumë është Isco i Realit të Madridit. E adhuroj dhe ndonjëherë përpiqem të imitoj lëvizjet e tij, por nuk e di nëse mundem.

Kam lindur në një provincë të Brescias. Prindërit e mi erdhën në Itali në vitet 1990. Fillimisht mbërriti babi, më pas erdhi erdhi edhe mami. Ata më kanë folur shumë për Shqipërinë. Kur isha më i vogël shkonim shpesh në Shqipëri, ndërsa tani shkojmë më rrallë. Megjithatë më pëlqen të kthehem te rrënjët e mia. E gjej veten te kultura dhe mënyra e të menduarit të shqiptarëve.

Prindërit e mi erdhën në Itali për shkak se në vendin e tyre ishte një kohë e keqe, kishte luftë dhe nuk kishte mundësi punësimi. Numri 73 që mbaj në fanellë është një numër që ia dedikoj babit, pasi ky është viti i tij i lindjes”, ka thënë Erdis Kraja./Sport Ekspres/