Erdhi për të mësuar rregullat e futbollit, Franko Lerda nuk ekziston për Italinë

Franko Lerda erdhi me shumë bujë te Partizani disa muaj më parë. Me një CV të plotësuar në Itali, u pa si një gjetje të duhur, ndërsa edhe grinta nuk mungonte gjatë stërvitjeve. Nuk kaloi shumë dhe u pa se ishte edhe e tepruar në masë, pasi javë pas jave kishte grindje me lojtarët. Madje jo vetëm me një prej tyre, pasi emrat ndryshonin shpeshherë dhe bëhej fjalë për lojtarët më kyç te Partizanit.

Nënvlerësimi ishte për të gjithë, ndërsa kur flitej për grindjet dhe situatën aspak të mirë që kalonte Partizani brenda klubit, përgjigja ishte gjithmonë injoruese: “Nuk i lexoj mediat shqiptare, nuk e di gjuhën”. Për më tepër gjatë ndeshjes së Partizanit dhe Kukësit që u luajt në kryeqytet, do t’i shpjegonte mes ulërimave Duros edhe rregullat e futbollit: “Unë ju them rregullat e futbollit në Europë. Topi nxirret jashtë vetëm kur lojtari goditet në kokë. Në të kundërt, e urdhëron vetëm arbitri”. Menjëherë pas asaj ndeshje, nisën edhe grushtat me një pjesëtar të klubit, ndihmësin e tij.

“Ose unë, ose ai”, do të ishte ultimatumi i Lerdës për Mehmetin te drejtuesit e klubit. Teksa e zgjodhën në këtë luftë të hapur, dështimi ishte i paevitueshëm, kur pas derbit erdhi edhe shkarkimi. Por në Itali, pavarësisht se Lerda erdhi si një njohës i madh i futbollit dhe emër i dëgjuar në vendin fqinj ende e dinë pjesë të Partizanit. Kjo mund të thuhet në rastin më të mirë, pasi kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga shkarkimi i tij, asnjë media italiane nuk ka shkruar një rresht të vetëm për këtë vendim të fundit që e nxjerrë Lerdën të papunë. /Sport Ekspres/