Erblira Bici: S’është hera e parë që vë rekorde, skuadra u bë njësh me mua

“Në kombëtare është rekord, por një shifër të tillë e kam pasur dhe në Itali. Më ka ndihmuar shumë aktivizimi në atë kampionat dhe trajneri”

Gjergj Vyshka

Erblira Bici është shquar se fenomen në kampionat. Por tashmë është e tillë dhe në kombëtare, ndërsa dje me lojën e saj të shkëlqyer në të gjitha drejtimet, i ka lënë të gjitha me gojë hapur. Jo vetëm shënonte, por në kthimin e topit nga kundërshtaret në shërbim u krijonte mundësinë që të shënonin të tjerat. Një proges që ka ardhur nga ndeshja në ndeshje në Ligën e Evropës. 12 pikë ndaj Finlandës me sulm, 21 pikë ndaj Austrisë dhe dje 32 pikë ndaj Bjellorusisë. E Erblira Bici është totalisht kombëtarja e Shqipërisë. Eksperienca tek Mondovi në Itali e ka ndihmuar shumë të rritet 20-vjeçaren, që po bëhet gradualisht një Ela Tase e dytë. Ja dhe intervista e saj për “Sport Ekspres”…

32 pikë të shënuara në total, 29 me sulm, dy me shërbim dhe një me bllok. Si mund të shpjegohet?

Si mund të shpjegohet? Për mua nuk është hera e parë që realizoj kaq shumë pikë, sepse e kam bërë dhe në kampionatin italian ku dhe aktivizohem prej një viti. Është një punë e madhe që ka bërë trajneri me mua dhe sigurisht që në kombëtare ky është një rekord. E rëndësishme është se sot e gjithë skuadra luajti me mua, u bë bashkë me mua, nuk pati xhelozira pse u dha topi atje e pse nuk u dha këtu. Dhe kjo është meritë e padiskutueshme e ekipit dhe i falënderoj, po pse jo dhe e dy trajnerëve Martiri e Tare që na kanë bërë grup ku nuk mund të çajë askush.

Sa ju ka ndihmuar përvoja italiane?

Shumë. Mos harroni që luaj në një kampionat të fortë dhe ke se çfarë mëson. Ua thashë dhe më sipër, me mua ka punuar shumë trajneri i ekipit. Ndaj jam në këtë pikë.

Ndërkohë sot jemi në vendin e dytë në Ligën e Evropës. A mundet të shpresojmë për më shumë?

Mundësitë janë. Vërtetë na mundi Finlanda, por kjo nuk do të thotë se nuk mund ta mundim ne në Bjellorusi. Ashtu sikurse do të pretendojmë ta mundim përsëri Bjellorusinë dhe Austrinë dhe mundësitë janë. Tashmë me këto dy fitore, që ia dedikojmë tifozëve tanë, kjo kombëtare mund të bëjë shumë mirë dhe në ndeshjet e tjera.

E pas Ligës së Evropës do të kemi ndonjë stacion të ri të Bicit?

Unë mendoj se do të jem përsëri në Itali me të njëjtën skuadër. Pastaj të shohim. E rëndësishme është se jam duke ecur mirë dhe kjo u shpreh dhe në fushë.

Së fundi, një dedikim?

Familjes sime, por dhe të gjithë skuadrës, e cila më mbështeti fort. Dhe gjithë bashkë ia arritëm që të dilnim fitues ndaj Bjellorusisë.

Image may contain: 4 people, people playing sports

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *