Erald Dervishi, Mjeshtër i Madh edhe në Republikë

0

Erald Dervishi është tashmë dy herë Mjeshtër i Madh. Që nga 1997 është Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar, i vetmi për shahun shqiptar, e që nga dita e djeshme është Mjeshtër i Madh i Republikës. Një dekoratë që i është dorëzuar dje nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili ka nderuar e dekoruar një sërë figurash të qytetit të Durrësit, mes të cilëve dhe gazetarin sportiv Bujar Qesja. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, thuhet në kapitullin e dekorimeve të faqes në internet të presidencës shqiptare, i akordoi më 5 maj 2017, me numër dekreti 10280, zotit Erald Dervishi Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për merita të veçanta dhe rezultate të shkëlqyera në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare në sportin e shahut. Këmbëngulës në arritjen e majave sportive, duke bërë që Flamuri Kombëtar nën emrin e tij të evidentohet në veprimtaritë botërore sportive”. E kjo është një arritje në përgjithësi për shahun shqiptar, por dhe për sportin shqiptar, e në veçanti për Erald Dervishin si figura simbol e katrorëve bardhezi.

Cili është Erald Dervishi?

Erald Dervishi ka lindur në Durrës më 10 nëntor 1979 e nën drejtimin e Mjeshtrin Ndërkombëtar, Fatos Muço, që në fëmijëri i është përveshur lojës së shahut duke u bërë shpejt kampion. Në vitin 1993 është Kampion Evrope për moshën deri 14 vjeç në Sombatheli të Hungarisë. Më pas është i treti në Kampionatin Evropian të moshës deri në 18 vjeç më 1997-ën në Rimaska Sobota. E në të njëjtin vit do t’i jepej dhe titulli Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar, ndërsa është i pari dhe i vetmi lojtar i shahut shqiptar që e ka një titull të tillë. Ka marrë pjesë në nëntë olimpiada botërore të shahut për Shqipërinë, që nga 1994 e deri vitin e kaluar, ndërsa është dhe kapiteni i kombëtares. E jo vetëm kaq, por dhe tavolina e parë tek djemtë. Ka fituar medaljen e bronztë individuale si tavolina më e mirë e dytë në Olimpiadën Botërore të Elistës më 1998-ën. Në Shqipëri është kampion më 1996 dhe 1997, ndërsa koeficienti i tij ELO aktualisht është 2552 pikë. Më 2014 ka pasur koeficientin më të mirë, 2582 pikë ELO, që ishte jo vetëm rekord tij personal, por dhe rekord për Shqipërinë duke mbetur numri një i shahut shqiptar. Ka marrë pjesë në disa turne në Itali, ndërsa më 2001, 2003, 2005 dhe 2006 është i pari në Festivalin e Shahut në Padova. Më 2001 është i pari në turneun e hapur të Xhenovës. Më 2006-in me skuadrën e Padovës, duke qenë tavolina e parë, do të dilte në kampionatin ekipor. Më 2003-in është i pari në turneun e hapur të Bergamos. Por më 2006-ën dhe 2009-ën ishte i pari në turneun e hapur në Brato. Më 2013-ën ishte fituesi i turneut ndërkombëtar të Durrësit.

Përtej shahut, Dervishi është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Padovës më 2008-ën, ndërsa ka qenë edhe këshilltar ligjon në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkohë që nga 2013-ta është anëtar i Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa në këtë pozicion do të jetë shefi i delegacionit olimpik kuqezi në Lojërat Islamike në Baku, më 12-22 maj 2017. Ka zhvilluar disa simultane në Shqipëri, ndërsa të cilat nën siglën e Sport Ekspresit një të tillë e pat bërë dhe në sheshin përpara Piramidës. Pa harruar që përtej shumë ndihmave, rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë një sponsorizim për të pat ardhur dhe nga presidenti i Tiranës në futboll, i ndjeri El Sajed. Gjithsesi një figurë e madhe e shahut shqiptar si Erald Dervishi e ka merituar këtë titull “Mjeshtër i Madh” nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Sepse është me të vërtetë Mjeshtër i Madh në llojin e tij si askush tjetër…

Gjergj Vyshka

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here