Epidemi dëmtimesh, Skocia humbet yllin e tretë brenda javës

Dëmtimet e Armando Sadikut dhe Odise Roshi ishin një goditje e madhe për Shqipërinë, në prag të Ligës së Kombeve. Por, kuqezinjtë nuk janë të vetmit që vuajnë prej dëmtimeve. Aspak e mirë edhe situata te Skocia, rivali i Kombëtares në ndeshjen e dytë të turneut, më 10 shtator në “Hampden Park” të Glasgou.

Ylli i Suonsit, Oli MekBërni u detyrua të tërhiqej nga kombëtarja për shkak dëmtimi. Në vend të sulmuesit, trajneri Aleks MekLeish grumbulloi në skuadër ish-lojtarin e Rejnxhërs dhe Evertonit, Stiven Naismith, 31-vjeçarit që në këtë sezon aktivizohet me Harts në Premiershipin skocez dhe me 7 gola të realizuar e ka ndihmuar skuadrën që të kryesojë kampionatin me pikë të plota pas katër javëve të para.

Dëmtimi i MekBërni ishte i treti në harkun e një jave. Më parë jashtë përfaqësueses së Skocisë mbetën mesfushori i Fulhamit, Tom Kairnej dhe mbrojtësi i Sëlltik, Xhek Hendri. Në vend të tyre, në skuadër u grumbulluan mesfushori i Rejnxhërs, Rajan Xhek dhe mbrojtësi i Uest Hemit, Robert Snodgras.

Ndërkohë, ylli i Liverpulit Endi Robertson u caktua kapiteni i ri i skuadrës. Mbrojtësit i’u besua shiriti pas tërheqjes nga përfaqësuesja e ish-kapitenit Skot Braun, në fillim të këtij viti. Robertson do të udhëheqë Skocinë në miqësoren e luksit, të premten në mbrëmje përballë Belgjikës dhe më pas në sfidën e 10 shtatorit përballë Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *