Ëndrra e plotësuar dhe lotët, rrëfimi emocionues i Lorik Canës

0

Lorik Cana është një personalitet dhe simbol i futbollit shqiptar. Ish-kapiteni legjendar i kombëtares kuqezi po shijon gjithçka pas tërheqjes nga futbolli. Gjakovari ka hapur fondacionin e tij, diçka që e kishte menduar prej kohësh dhe që i dhuron emocione të bukura. Investimi te fëmijët dhe brezat e ri është qëllimi kryesor, ndërsa në të ardhmen mund të nisë karrierën e drejtorit sportiv.

Roli i trajnerit nuk i intereson, as ai i presidentit të FSHF-së. Për momentin ka prioritete të tjera. Loriku është një tip, i cili studion dhe mëson gjëra të reja. Ai i rikthehet edhe momenteve më të bukura në karrierë. Fitorja me Greqinë në shtatorin e vitit 2004 mbetet madhështore, por nuk ka si kualifikimi në Europian. Tjetër nivel, të tjera emocione dhe krenari.

Më pas Marseja e tij e dashur. 35-vjeçari ka lindur në Lozanë dhe pasioni për Olimpikun e Marsejës lindi që fëmijë. Francezët kishin krijuar një ekip të fortë. Në fillimin e viteve 90- luajtën dy herë në finalen e Ligës së Kampioneve, madje duke mposhtur edhe Milanin e madh. Vite më vonë, Loriku luajti me ekipin e zemrës, madje u bë kapiten.

Në fund Shqipëria dhe Kosova. Përfaqësuese mund të ketë disa, por kombëtare vetëm një. Është ajo kuqezi, me simbolin kombëtar, ajo e të gjithë shqiptarevë, kombëtarja e Lorik Canës…

PLANET PAS FUTBOLLIT – “Karriera mbyllet herët dhe kur vjen ai moment mendon çfarë do bësh. Unë e ndjej veten me fat, pasi kam bërë gjithçka mundem që të merrem me projekte që më pëlqejnë dhe më tërheqin. Flas për fondacionin dhe kompaninë. Dua të jap kontribut për komunitetin. Ka edhe nga që më thonë merru me punët e tua. E shoh të rëndësishme për veten dhe e di që jam i aftë të tregoj shembullin e duhur. Fondacionin e kisha menduar pa e mbyllur karrierën. Përmes kontributit që japim për shoqërinë tonë, pa bërë dallim ku jetojnë shqiptarët, kam mbetur te sporti përmes fondacionit. Po merremi me fëmijët dhe është përgjegjësi e madhe të investojmë te brezat e rinj. Ishte me rëndësi të bëja diçka sa isha i freskët. Kam qenë gjithmonë i hapur të mësoj gjëra të reja, të mësoj fusha të reja. Kam bërë investime të ndryshme. Dua të bëhem drejtor sportiv”.

MOMENTI MË I VEÇANTË – “Kam disa momente të bukura në karrierë, sigurisht mbetet kualifikimi në Europian. Ishte realizimi i një ëndrre dhe sakrifice i një punë 13-vjeçare. Imagjinoni kur nisni diçka që është shumë larg dhe të duket ëndërr, ndërsa në fund e realizon. Ishte një moment i bukur, ashtu sikurse dita e parë në kombëtare, ashtu si herën e parë kur vesha fanellën kuqezi. Arritja ka qenë shumë e madhe, pasi e dija sa njerëz na ndjekin dhe presin prej nesh.

Dy-tre ditë para ndeshjes me Armeninë humbëm dhe jemi sharë. Gjithsesi nuk ishte shumë e rëndësishme, e rëndësishme ishte t’ia realizonim shqiptarëve atë dëshirë. Ka qenë momenti më krenar për mua si sportist. Edhe ndeshja me Greqinë ka qenë interesante, por jo në krahasim me kualifikimin. Ishte fillimi, ata ishin kampionë Europe. Kualifikimi ishte tjetër arritje”.

TIFOZ – “Është shumë e thjeshtë. Si fëmijë jam rritur në Lozanë të Zvicrës. Asokohe Olimpiku i Marsejës ishte ekipi më i mirë. Më kujtohet që në vitin 1991 humbi në finale të Champions League me Zvezdën. Aty unë kam qarë. Pastaj në vitin 1993 u bë kampionë e Europës. Ato vitet ishin vitet e para, që e ndjek shumë futbollin, dhe unë u bëra tifoz i Marsejës. Paramendo kur bëhesh tifoz dhe më pas luan për ekip?! Sigurisht që Marseja është shumë e veçantë për mua”.

“Në vend të dytë është Parisi, pavarësisht që shumë nuk e kanë kuptuar lëvizjen time, për shkak se ka një lloj rivaliteti mes dy klubeve. Por vendi i parë ku bëhesh profesionist është i veçantë, Parisi. Pastaj kam luajtur në vende të tjera në Angli, te Lacio e Gallatasaraj. Me ta kam qenë tifoz dhe kur më pyesnin njerëzit pse, u thosha që jam bërë se themelues është një shqiptar. Marseja është larg nga ekipet e tjera. Ëndrrën e kam plotësuar, luajta me Marsejën. Ajo ishte ëndrra ime”.

E ARDHMJA – “Nuk më tërheq të bëhem menaxher, dua të përfshihem si drejtues në të ardhmen. Mendoja moshën 36 vjeç për ta nisur. U tërhoqa nga futbolli për shkak të një problemi shëndetësor. Kur isha 32 vjeç e mësova se mund të luaja edhe një vit, jo më shumë. Kjo më bëri të mendoj se çfarë do të bëja më tej. Të përfshihem në futboll duhet kohë dhe licenca. Duhen shumë gjëra për të cilat duhet të përgatitesh. Jam i bindur se është zgjedhja ime. Nuk e shoh veten trajner, e keni parë që ka shumë stres. Me investime jam marrë edhe gjatë futbollit. Disa kanë qenë të suksesshme, disa jo. Tani kam menduar të investoj te fusha e teknologjisë dhe është eksperienca e parë në këtë fushë”.

“Shqiptarët kanë një kombëtare, por kanë edhe një përfaqësuese tjetër tani. Mos t’i ngatërrojmë emrat, duket një detaj por është shumë e rëndësishme. Kombëtarja është një dhe nuk ka tjetër. Është ajo që është e kuqe, ajo është me simbolin kombëtar dhe nuk ka të tjera. Krejt të tjerat janë përfaqësuese. Kosova ka momentin e vet dhe duhet të jetë për të mirën e të gjithëve sa më e suksesshme. Këtu flasim për ajkën, ata që e përfaqësojnë sportin. Diferencën e bën ai që investon në vendin e tij, jo ai që merr nga jashtë më të mirët. Nuk kam pretendime të jem trajner i Shqipërisë apo i Kosovës. Në botën drejtuese i kam pretendimet e mia, por i kam për jashtë. Nuk e kam synimin të bëhem president federate, të paktën jo tani. Interesante është të bëjmë një turne të përbashkët futbolli. Për momentin nuk kam asnjë plan të përfshihem në ndonjë detyrë zyrtare”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.