Ëndrra e Pjaniç: Kjo Juvja më e fortë, jam befasuar nga CR7!

Miralem Pjaniç kishte oferta të shumta gjatë verës, por boshnjaku vendosi të qëndronte te Juventusi. Të njëjtën dëshirë kishin dhe bardhezinjtë, që rinovuan me 28-vjeçarin deri në vitin 2023.

Ekipi i Alegrit po “fluturon” në kampionat dhe Champions. Të mërkurën zhvillohet ndeshja e fundit kundër Jang Bojs në fazën e grupeve të Champions-it dhe Pjaniç zbulon objektivat e klubit dhe ëndrrën e tij.

Ai flet për kundërshtarët zviceranë, garën në kampionat si dhe ekipin e tij. Në fund elozhe për Bufon dhe Kielinin, si dhe një mirëpritje e ngrohtë për… Pol Pogba, nëse ky i fundit vendos të rikthehet në Torino.

ËNDRRA – “Ëndrra ime është fitimi i Champions-it me Juventusin dhe do të bëjmë të pamundurën për ta dërguar në shtëpi atë trofe. Tripleta duhet të jetë objektivi dhe ëndrra jonë. Kur firmosa me Juven, presidenti më tregoi një foto të ekipit që kishte fituar 5 tituj kampionë rresht. ‘Duhet t’i superojmë këta’ më tha. Ia kemi dalë, kemi fituar shtatë rresht, por tani duhet të fitojmë trofe të tjerë.”

JANG BOJS – “Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Objektivi i vendit të parë është përcaktuar që në fillim të sezonit. E duam medoemos vendin e parë dhe kjo skuadër ka treguar se e meriton.”

KAMPIONATI – “Kemi një avantazh të bukur për momentin. Do të tentojmë ta rrisim diferencën, por Napoli dhe Interi kanë treguar se janë skuadra shumë të mira dhe do të luftojmë me to deri në fund.”

JUVENTUSI – “Mendoj se kjo është skuadra më e fortë. Kemi një kontingjent shumë të madh dhe drejtuesit po punojnë çdo vit për të përmirësuar skuadrën. Alegri është një menaxher i shkëlqyer i grupit, është shumë i aftë taktikisht dhe na transmeton shumë cilësi. Ronaldo? Ai po na jep shumë nga eksperienca e tij, cilësi dhe mënyrën e tij të punës për t’u përmirësuar gjithmonë. Të gjithë këto aspekte më kanë befasuar shumë nga Kristiano.”

POGBA – “Sigurisht që të gjithë tifozët e ëndërrojnë rikthimin e tij. Ata që kanë ardhur janë lojtarë shumë të mirë, por Pogba do të ishte i mirëpritur, madje, më shumë se aq.”

BUFON-KIELINI – “Xhixhi është një legjendë, ndoshta portieri më i fortë i të gjithë historisë së futbollit. Ishte një person i rëndësishëm në dhomat e zhveshjes, një shembull që ka transmetuar gjithë lidhjen e tij me Juven. Pas lamtumirës së tij, pika e referimit është bërë Kielini. Ai dhe Xhixhi e dinë se çfarë personifikon Juventusi. Janë modele për t’u ndjekur për seriozitetin dhe profesionalizmin e tyre. Kampionë të mëdhenj, të cilët më mirë t’i kesh shokë skuadre, sesa kundërshtarë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *