Emocionet dhe objektivat, rrëfehet rekordmeni Enea Jorgji

0

Enea Jorgji, para pak kohësh, kishte mundësinë të gjykonte një ndeshje në grupet e Europa League dhe për një shqiptar ishte e hera e parë që ndodhte diçka e tillë. Arbitri nga Elbasani gjykoi takimin AEK Larnaka-Ludogorets dhe tregon emocionet që përjetoi.

“Normalisht që u ndjeva i emocionuar, pasi janë vite të tëra punë që përpiqemi të bëjmë sa më mirë dhe të arrijmë rezultate të larta. Pjesëmarrja në një kompeticion të tillë, sidomos në fazën në grupe, ishte goxha arritje”, shprehet Jorgji në “Supersport.

Më tej arbitri që mban stemën e FIFA-s tregon edhe diferencën me Superioren: “Ndryshimi vjen nga niveli i skuadrave, por nuk mund të thuash që nuk ka edhe në kampionatin shqiptar ndeshje me nivele të mira. Por sigurisht që në kompeticionet evropiane përballesh me skuadra të mirë, me skuadra me emër dhe cilësi mjaft të mira”.

Jorgji është përzgjedhur të gjykojë sërish në Nations League. Ai do të vërë drejtësi në takimin mes Hungarisë dhe Estonisë. “Është ndeshja e dytë që gjykoj në Nations League, ndeshjen e parë e pata në Armeni me Lihtenshtejnin. Ishte eksperiencë e bukur edhe atje. Besoj që kjo e dytë do të jetë pak më e lehtë në përshtatshmëri, sepse është eksperiencë e provuar më përpara. Mendoj se do përkushtohemi dhe do të japim më të mirë, sepse ndeshjet kombëtare sigurisht që japin kënaqësinë  e tyre”, shtoi gjyqtari nga Elbasani.

OBJEKTIVI – “Çdo njeri mundohet dhe ëndërron për të mirën. Sigurisht që e mira është relative pastaj, por të vazhdojmë të punojmë. Nëse na u dha shansi dhe mundësia për të arritur në grupet e Europa League, si dhe me ato cilësi që kemi dhe që i shfaqim në fushë, mendoj se mund të arrijmë edhe më tepër. Se deri ku mund të arrijmë varet nga ne, por edhe pak nga fati. Ky profesion e kërkon edhe fatin në mes, kështu që shpresojmë sa më lart”.

TË RINJTË NË SUPERIORE – “Gjithmonë e reja është pozitive, jep tjetër spunto në çdo fushë dhe jo vetëm në fushën e arbitrimit. Mendoj se kemi elementë shumë të mirë, elementë që premtojnë dhe me pak mbështetje nga opinioni dhe të tjerët, besoj do ia arrijmë të kemi një arbitrim me nivel të konsiderueshëm”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.