Emocione dhe duartrokitje, por në lamtumirën e magjistarit Iniesta mungonin Mesi e Suarez

0

Në një atmosferë të ngjashme me ato të konferencave për shtyp para El Clasico-s, apo para ndeshjeve të rëndësishme në Champions League, Andres Iniesta i ka dhënë lamtumirën Barcelonës, pas më shumë se 20 vitesh në klub. Medfushori i famshëm nuk e tregoi destinacionin e ardhshëm, por e bëri të qartë që nuk do të vijojë të luajë në Europë, pasi nuk dëshiron të përballet me ish-shokët e tij. Në konferencën e tij për shtyp ishte i pranishëm edhe presidenti Hosep Maria Bartomeu, ashtu si gjithë drejtuesit e lartë, stafi teknik, lojtarët dhe familja e lojtarit. Munguan dy personazhe të rëndësishëm Leo Mesi dhe Luis Suarez. Një befasi e madhe mungesa e tyre, në një moment kaq të rëndësishëm në karrierën e Iniestës.

Versioni që Barcelona dha për mungesën e tyre ishte se ata kishin impenjime private që koincidonin me orarin e konferencës për shtyp. Në fakt, klubi blaugrana njoftoi për konferencën për shtyp vetëm 3 orë para zhvillimit të saj, ndaj me shumë gjasa ka pasur probleme në organizimin perfekt të saj dhe njoftimin e të gjithë lojtarëve.

Nuk munguan gazetarët, natyrisht, me shumë të tillë edhe nga gazetat politike, pasi ishte një ngjarje e rrallë. Të paktën 40 kamera televizionesh, mbi 60 gazetarë dhe mbi 60 punonjës të Barcelonës, ndërsa në përfundim të konferencës Iniesta u çua të largohej dhe e gjithë salla shpërtheu në një duartrokitje të gjatë, si në mbyllje të një shfaqjeje në teatër, apo në mbyllje të spektaklit të një magjistari që mbyll karrierën.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.