Emocione dhe ambicie, Orges Shehi kërkon trofeun e parë si trajner

Vetëm pak orë përpara debutimit zyrtar në stol. Pak javë më parë ishte në fushë kur ngriti trofeun e titullit kampion dhe atë të Kupës së Shqipërisë. Tani Orges Shehi kërkon edhe trofeun e parë si trajner. Të dielën, Skënderbeu luan finalen e Superkupës me Laçin, me Shehin që nuk i fsheh emocionet e debutimit zyrtar në stol, por edhe ambicien për të vazhduar të trimfojë.

Ndeshja e parë zyrtare për ju si trajner i Skënderbeut, nis me finalen e Superkupës përballë Laçit…

Sigurisht që e kam thënë edhe në ditët e mëparshme, se ky trofe është fryt i punës së bërë vitin e kaluar. Jemi pjesë e ekipit kampion dhe kjo të jep mundësinë që ta nisësh menjëherë sezonin me një luftë për trofe. Është një ndeshje e rëndësishme për ne, Superkupa është një trofe që do ta synojmë dhe ekipi është gati për të bërë të mundur që ta fitojë. Është ndeshja e parë zyrtare për mua, është paksa emocionuese, se para një muaji kam qenë në fushë, ndërsa tani jam në stol.

Keni përballë Laçin, si e vlerësoni ekipin kundërshtar dhe a mendoni se do ta keni të vështirë, pasi ata janë më përpara me përgatitjet duke qenë se luajtur edhe në Europë?

Po ta kapësh nga ana sportive, Laçi niset paksa më i avantazhuar, sepse ata kanë luajtur disa ndeshje zyrtare. Në anën tjetër, ne kemi qenë në kuadrin e përgatitjeve dhe kemi zhvilluar vetëm ndeshje miqësore. Laçin nuk e kemi studiuar aq shumë, sepse ata kanë ndryshuar trajner dhe në raste të tilla ndryshon e gjithë fizionomia e lojës. Sigurisht që kemi informacion për Laçin, për lojtarë të caktuar, por nuk kemi informacion për mënyrën e lojës dhe si do të vendosen në fushë, pikërisht prej ndryshimit që bën në stol.

A është gati Skënderbeu për këtë sfidë?

Kemi mbi një muaj që punojmë, jemi të kënaqur me përgatitjet dhe besoj që jemi gati për finalen.

Do të keni ndryshime në formacion, apo do të mbështeteni te boshi m lojtarët ekspertë, edhe pse keni eksperimentuar?

Në momente të caktuara një skuadër duhet të ndryshojë fytyrë dhe të ndryshojë skemë, sepse kjo lidhet edhe në varësi të lojës dhe të kundërshtarit. Kemi bërë disa ndryshime, por do të vazhdojmë me atë rreshtimin tonë klasik.  E vetmja mëdyshje lidhet me Abazin, i cili nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Për fat të keq na u dëmtua edhe Nigama vetëm tre ditë përpara ndeshjes. Këto do të jenë dilemat tona, ndërsa për skemën do të jetë ajo klasikja.

E cilësoni këtë si një test zyrtar përpara fillimit të kampionatit apo do të synohet trofeu?

Është një ndeshje e rëndësishme, është një trofe. Ne përfaqësojmë një klub që në tetë vite ka marrë 10 trofe dhe do të hyjmë në fushë për ta fituar.

Merkato e Skënderbeut është mbyllur?

Jo! Kurrësesi nuk është mbyllur. Këto ditë presim edhe dy lojtarë të tjerë. Është vetëm çështje kohe kur ata të bashkohen me klubin dhe vetëm pastaj merkato jonë do të quhet e mbyllur.

Mund të na thoni cilët janë këta futbollistë?

Emra konkretë nuk mund të jap pa u mbaruar të gjitha formalitetet, sepse nuk do të ishte korrekte. Por, janë lojtarë, që të paktën njërin prej tyre opinioni e njeh shumë mirë. Kështu që presim edhe disa ditë sa të zyrtarizohen. Përgatiti: Jurgen Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *