Emini: Gabimi me Vllazninë na mbetet peng

0

 

Jurgen Zela

Kur duhen dhe shtatë javë për t’u mbyllur kampionati, Kukësi është përsëri aty, në luftën për titull. Barazimi me Vllazninë e ktheu në një detyrim pa kusht fitoren në Durrës. Pejiç ishte ai që arriti t’i jepte Kukësit tre pikët, por një performancë pozitive ishte për gjithë repartin e sulmit. Në pjesën e parë Izair Emini ishte shumë pranë shënimit të golit të avantazhit, por fati ishte kundër tij dhe topi u përplas në shtyllë. Pas ndeshjes, sulmuesi tetovar u shpreh i lumtur që ekipi fitoj dhe e pranon se golat i mungojnë, por jo dhe për shumë kohë. Barazimi me Vllazninë? Emini nuk është dakord që me fitoren në Durrës ai gabim është kompensuar.

Izair, sa vlen kjo fitore në këtë pikë të kampionatit?

Mund të them se kjo fitore për ne është e madhe, pasi vlen shumë për vazhdimësinë e kampionatit. Arritëm të mposhtnim një kundërshtar të fortë dhe për këtë jemi shumë të kënaqur. Nëse nuk do arrinim të fitonim, do e humbnim hapin e rivalëve.

Në Durrës pamë një Kukës shumë agresiv, kishit një motiv të veçantë?

E kishim përgatitur mjaft mirë këtë ndeshje pasi e dinim se dhe kundërshtari do të ishte agresiv, sepse kishte nevojë për pikë. Ne ia kthyem me po të njëjtën monedhë. Motivi për ne në këtë ndeshje ishte vetëm fitorja.

Duke parë kalendarin dhe rivalët, si e shihni luftën për titull?

Këto dy javët e radhës i kemi në Kukës, ku pretendojmë të marrim pikët maksimale dhe shpresojmë që rivalët të ndalen diku, por lufta për titull do të vazhdojë deri në fund, pasi ne jemi shumë afër me njëra-tjetrën, diçka që do të vazhdojë deri në fund.

Përballë Teutës goditët shtyllën. Ju mungon goli, pasi u bënë disa ndeshje që nuk shënon?

Po, e godita shtyllën dhe them se nuk e kam edhe fatin me vete. Besoj se nëse vazhdoj të paraqitem kështu, se goli do të vijë shumë shpejt.

Çfarë ka ky Kukës më shumë se rivalët për të dalë kampion?

Mendoj që ne si Kukës i kemi të gjitha mundësitë për të dalë kampion dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur, për të arritur objektivit final. Ne nuk shikojmë kundërshtarët, thjeshtë shohim punën tonë.

E hedh pas krahëve fitorja me Teutën atë barazim me Vllazninë?

Jo, mendoj se ndeshje me Vllazninë do të na ngelet peng, pavarësisht fitores me Teutën. Futbolli i tillë është, diku i lë pikët, diku tjetër i merr. Ne shohim vetëm përpara, s’kemi pse e kthejmë kokën pas.

Shtatë ndeshje nga fundi, ku mendoni se mund të vendoset kampionati?

Mendoj qe jemi shumë afër njëra me tjetrën dhe nëse shkojmë kështu mendoj se kampionati do të vendoset në ndeshjet direkte, por nuk përjashtohet mundësia që të shkojë deri në fund kështu.

,Ndeshja me Tiranën, jeni ndalur në dy barazime në fazat e shkuara, si e shihni këtë takim?                       

Po është e vërtetë se me Tiranën jemi ndalur dy herë dhe mendoj se nuk na lejohet tjetër hap i gabuar. Do të jetë një finale e radhës, pasi dihet që tani i kemi të gjitha ndeshjet si finale dhe të gjitha këto takime do të jenë shumë të forta dhe të rëndësishme për ne.

Një mesazh për tifozët dhe shokët e skuadrës?

Tifozët i ftoj që të jenë sa më të shumtë në shkallët e stadiumit, që të na përkrahin, pasi ne kemi nevojë për ata dhe kështu bashkë do të jemi më të fortë. Për shokët e skuadrës nuk kam asgjë veç se u them se janë me të mirët dhe jam shumë i lumtur që po luaj përkrah tyre.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image