Elis Bakaj debuton…”në botën tjetër”! Presidenti i Bjellorusisë: Futboll, vodka, sauna dhe punë! Kështu shkatërrohet COVID-19

Në një Europë të mbyllur në shtëpi e me qytete të zbrazëta, Bjellorusia shkon kundër rrymës dhe duket si të jetë nga “një botë tjetër”. Megjithëse rastet me pandeminë Covid-19 nuk mungojnë as aty, presidenti i bjellorusëve nuk ka ndërmend të ndalë dinamikën e jetës, pasi ka një tjetër ide se si mposhtet ky virus vdekjeprurës. “Bëni sa më shumë sauna, pini sa më shumë vodka dhe punoni sa më tepër. Kështu shkatërrohet virusi brenda jush”, janë fjalët me të cilat Lukashenko i drejtohet popullit të tij në këtë moment kur vendet më të zhvilluara të kontinentit tonë dhe jo vetëm kanë zgjedhur masat drastike për të luftuar armikun e padukshëm.

Asgjë nuk ka ndryshuar në Bjellorusi, madje as futbolli, i cili tashmë ka nisur edhe sezonin e ri. Dy takimet e para janë luajtur ditën e djeshme, ndërsa dy të tjerë zhvillohen sot, ku sulmuesi shqiptar Elis Bakaj do të bëjë edhe debutimin e tij me skuadrën e re të Brestit. Madje do e bëjë ndeshjen e parë me fanellën e Brestit përpara tifozëve e jo në një stadium me dyer të mbyllura, duke jetuar kështu në një “botë tjetër” nga ajo që Europa njeh sot./Sport Ekspres/