Elbasani, vjen sulmuesi Brilant Syla nga Maqedonia

0

Mriglen Miraka

 

Mesfushorët Arbër Cyrbja, i ardhur nga Teuta, dhe Besart Veseli, i ardhur nga kampionati kosovar, janë zyrtarisht pjesë e skuadrës së Elbasanit për dy fazat e mbetura. Të dy këta lojtarë kanë gjetur akordin me klubin verdheblu dhe konsiderohen dy blerjet e para trajnerin Muharrem Dosti, i cili i ka pëlqyer gjatë seancave stërvitore. Çyrbja dhe Veseli, që vlerësohen si përforcime të rëndësishme, luajnë në mesfushë, i pari në krahun e djathtë, ndërsa kosovari në qendër.

SYLA – Në seancën e djeshme, skuadrës së Elbasanit i është bashkuar edhe një futbollist i ri. Ai është sulmuesi i ardhur nga  Tetova, Brilant Syla. 23-vjeçari është aktivizuar me Gostivarin në kampionatin maqedonas gjatë fazës së parë, duke shënuar 9 gola. Syla ka luajtur më parë me Shkëndijën e Tetovës dhe me Renovën. Sulmuesi dhe menaxheri i tij, Nafo Rexhepi, janë takuar me drejtuesit e klubit elbasanas dhe kanë biseduar në lidhje me një kontratë të mundshme, por pritet një takim i dytë, që vendos gjithçka. Stafi teknik, me në krye trajnerin Muharrem Dosti, ka dhënë komente pozitive për lojtarin në fjalë, pasi e ka parë gjatë seancës së djeshme stërvitore. Tashmë mbetet në dorë të presidentit Arben Laze për të vendosur, nëse sulmuesi Syla do të qëndrojë apo jo në Elbasan. Gjasat janë që ai të jetë blerja e tretë e Elbasanit, që ka shumë nevojë për një sulmues, pasi  nga grupi i gjysmës së parë janë larguar lojtarë si Çota, Bylykbashi dhe Tahirllari. Për Sylën do të vendoset shumë shpejt, sepse ndeshja e parë zyrtare e 2015-ës është në prag dhe trajneri Dosti duhet ta ketë grupin sa më të plotë.

KOTORRI – Kapiteni i Elbasanit, portieri Elvis Kotorri, i ka dhënë dje lamtumirën zyrtare skuadrës së qytetit të lindjes. Ai ka zhvilluar dje pasdite seancën e fundit me verdheblutë dhe më pas është përshëndetur me të gjithë, shokët e skuadrës dhe drejtuesit e klubit. Ai do të luajë në vazhdim me Dinamon, me të cilën ka fituar edhe titullin kampion. Kotorri është lënë i lirë nga klubi verdheblu. Presidenti Laze nuk e ka penguar atë, ashtu si shumë të tjerë, që kanë dashur të largohen për një të ardhme më të mirë. Për këtë fakt portieri Kotorri i është mirënjohës dhe e falënderon “bosin” e Elbasanit, si dhe drejtuesit e tjerë. “Uroj që Elbasani të mbijetojë në Superligë dhe kam shumë besim se do t’ia dalë”, – është shprehur shkurt portieri elbasanas.

 

Sot, miqësore me Bylisin

Verdheblutë do të zhvillojnë sot në Elbasan një tjetër ndeshje miqësore dhe përballë tyre do të jetë Bylisi, që luan në Kategorinë e Parë. Ky test do të zhvillohet në orën 14:00, në ambientet fushës së vjetër të sportit, ku trajneri Dosti do shohë për herë të fundit gjendjen e skuadrës përpara takimit me Skënderbeun kampion. Në këtë miqësore pritet të luajnë dhe dy blerjet e reja, Çyrbja dhe Veseli, si dhe Syla, i cili do të testohet dhe më pas do të vendoset në lidhe me qëndrimin ose jo të tej tek Elbasani.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.