Elbasani “gjuan” Zylyftarin, sulmuesi afron

0

 

Golashënuesi që ka spikatur në Kuçovë, së shpejti do të ketë bisedime me drejtuesit e skuadrës elbasanase, ndërsa shihet si një afrim me vlera në vijën e parë

 

Fatmir POPJA

Elbasani është vënë në “gjueti” të sulmuesve për t’i afruar në gjirin e vet. Arsen Zylyftari, sulmuesi 25-vjeçar i Naftëtarit është synimi më i fundit i drejtuesve elbasanas, me të cilin pritet që të kenë një marrëveshje shumë shpejt. Burime të sigurta të “Sport Ekspres” pohojnë se palët janë shumë pranë një marrëveshje dhe shumë shpejt ky futbollist do të veshë fanellën verdheblu. Mësohet se dëshira nuk mungon nga të dyja palët për të pasur një bashkëpunim 1-vjeçar, edhe pse firma mbi kontratë nuk është hedhur ende. Edhe pse skuadra e Naftëtarit ra sezonin e kaluar nga Kategoria e Parë, Zylyftari bëri paraqitje të mira dhe ishte një nga lojtarët kryesorë të këtij ekipi, ndaj edhe me të mbaruar kampionati është bërë një futbollist i kërkueshëm në merkato.

Nëse në fund verdheblutë do të merrnin shërbimet e tij, atëherë do të rregullohej disi edhe “maja” e sulmit, një repart ky që nuk ka qenë në nivelin e duhur gjatë sezonit të kaluar. Gjithsesi, sido që të venë punët në merkato përsa i përket këtij lojtari, ajo do të mbesë e hapur deri në ditët e fundit të saj, pasi Elbasanit i duhen shumë ndërhyrje për të mbuluar “gropat” e lojtarëve që mund të largohen. Për momentin Elbasani bën pjesë në rangun e atyre skuadrave që qëndrojnë në kuadrin e bisedimeve, ndërsa për konfirmime ende nuk mund të flitet. Pas fillimit të stërvitjes që është shtyrë për javën tjetër, do të shihen edhe frytet e bisedimeve në merkato, për të parë se cilët lojtarë janë bindur për t’iu bashkuar grupit për këtë sezon.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image