Elbasani bën me makthe Tomorin, beratasit akuzojnë: Një lojtar nuk lejohej të luante

Nga: Edi Spahiu

I dënuar, me humbje në tavolinë e heqje pikësh, Tomori e priti në Ballsh Elbasanin, me shpresën se do të harronte hallet e javëve të fundit me një fitore.

Që në fillim Tomori e niste pa dy titullarë për gafat e veta, sepse Sharavolli e Beci ishin të pezulluar dhe fare mirë e kryenin pezullimin në Ballsh, por Tomori zgjodhi të mos shkonte fare, duke harruar që pezullimi i lojtarëve të rëndësishëm nuk shlyhej në ndeshjen e humbur në tavolinë. Pa Sharavollin e Becin, ndryshimet në formacion ishin të detyruara, ndërkohë që në fushë beratasit bënë gjithçka për të marrë tre pikët, por në fund ishin me fat që nuk humbën.

Edhe pse dominues në lojë e raste, lojtarët e Tomorit gabuan shumë para portës kundërshtare, por ndoshta nuk e prisnin që Elbasani të shënonte shumë shpejt, me Nertil Hoxhaj që në minutën e nëntë.

Në fundin emocionues të ndeshjes miqtë në tre raste kundërsulmi mund të kishin shënuar, por portieri Kaloshi eviton një gol të sigurt të Nurit në minutën e 80-të, për të ardhur tek goli i barazimit të beratasve, ku pas goditjes nga këndi qëndërmbrojtësi Mujkic në minutën e 86-të realizoi me kokë fare pranë portës.

Barazim me vlerë duke parë si shkuan gjërat, por Tomori është tashmë në ankth, sepse renditja është bërë dramatike.

DYSHIMI – Te Tomori dyshojnë se mbrojtësi elbasanas Jurgen Lleshi është aktivizuar duke qenë i pezulluar. Lleshi mori karton të verdhë javën e shkuar dhe sipas beratasve është i katërti sezonal, por me siguri këtu ka një paqartësi, sepse në faqen zyrtare të FSHF-së rezulton se Jurgen Lleshi ka 5 kartonë të verdhë dhe e shleu pezullimin dy javë më parë.

Për këtë arsye, Tomori nuk ka shpresa për fitore në tavolinë, edhe pse pritet që zyrtarë beratas të shkojnë në FSHF për të verifikuar protokollet e ndeshjeve të Elbasanit.

TOMORI – ELBASANI 1-1

Shënues: Mujkic 86′ / Hoxhaj 9′

Tomori: Kaloshi, Dervishi, Dobra, Dore, M. Duka, Dyca, Galica (Kumani 53′) Koleci (Gjonaj 70′) Mujkic, Oaja, Shaqe (Mersini 38′) Tr: E. Fani

Elbasani: Moli, E. Duka, Ferrati, Hidaj, Hoxhaj, Koldashi ( Cungu 40′ ) J. Lleshi, Mici (Jaupaj 79′) Nuri (A. Lleshi 90′) Suvaria, Ukaj. Tr: E. Kotorri

Karton i verdhë: E. Duka 85′

Gjyqtarë: B. Ziri, E. Veseli, E. Kushi ( F. Krujë )

 

Pas ndeshjes

  1. Pambuku (Zyrtar i sporteve në Bashkinë Berat): Kemi prodhuar shumë lojë dhe të vjen keq që na mungoi fitorja në këtë përballje, pasi nuk na deshi aspak fati, ashtu sikur shpreh keqardhjen që vec erës së fortë në këtë takim, mund të them se kemi pasur edhe gjykimin kundër, dhe FSHF vazhdon që të na sjellë gjyqtarë që me gjykimin e tyre tendencioz vazhdojnë të dëmtojnë interesat e Tomorit, që gjithsesi nuk do të jetë skuadra që rrezikon rënien na kategoria, pasi skuadra jonë ka shumë vlera dhe është më lart në të gjitha drejtimet se katër skuadrat e tjera të pesëshes dytë në grupin ku ne bëjmë pjesë.
  2. Kotorri (Trajner i Elbasanit): Jemi shumë të kënaqur me këtë barazim që na jep akoma më shumë shpresë për qëndrimin në kategori, por më së shumti ky rezultat pozitiv në transfertë është një hap i madh për moralin e skuadrës në fazën e tretë, ku ne do të rivalizojmë fort me Tomorin dhe Turbinën. Për ndeshjen e sotme, mund të them se vërtetë Tomori na vuri në vështirësi duke krijuar epërsi dhe raste për shënim, por më parë se të vinte barazimi ne mund të kishim mbyllur ndeshjen me golin e sigurisë, por meritë në këtë barazim ka padyshim e gjithë skuadra dhe në veçanti portieri ynë Moli në një formë të shkëlqyer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *