Ekuban, Latifi, Mervej & Co, po kthehemi në trampolinë!

 

Dikur ishim vetëm një varrezë balenash, ndërsa sot edhe lojtarët e rinj, me perspektivë dhe të talentuar preferojnë të vijnë nga jashtë dhe të shohin si do të ecin. Por, mbetet ngërçi administrim dhe strategjia e biznesit

 Anton Cicani

Në një analizë të bërë disa kohë më parë, sa i përket pjesëmarrjes së publikut në stadiume, kampionati shqiptar renditet në top 5 vendet e para sa i përket mesatares së pesë viteve të fundit, në krahasim me rajonin, sigurisht. Praktikisht, duke hequr disi Greqinë, Kroacinë dhe ndoshta edhe ndonjë shtet tjetër, jemi më mirë se Rumania, Sllovenia, Sllovakia, por edhe se Mali i Zi, apo Serbia, që vetëm në ndeshjet e mëdha regjistron shifra të rëndësishme. E ndërsa sa i përket pjesëmarrjes në stadium jemi rritur dukshëm, në këto vitet e fundit, falë edhe rikthimit të Partizanit në elitë, apo investimeve që janë bërë, duke shtuar edhe Kukësin si një klub tashmë me financa të shëndetshme dhe kampion në fuqi, nuk na mbetet vetëm se të rritemi në aspektin e administrimit.

Liridon Latifi, xhevahiri i Superliges

Sigurisht, marka ende vlen shumë pak, për të mos thënë zero, duke qenë se kompanitë e ndryshme nisen nga fakti që kampionati shqiptar ka shumë aludime për trukim dhe njolla e fundit e Skënderbeut, zërat për tolerime gjatë sezonit, kompromiset e kështu me radhë nuk kanë ndihmuar në këtë aspekt. E megjithatë, në këtë futboll që ndonjëherë të ngjan skadent, janë kultivuar dhe afirmuar shumë lojtarë interesantë këto vitet e fundit. i vetmi peng, nëse mund të quhet i tillë është fakti që ndoshta nuk jemi mësuar ende që të përfitojmë maksimalisht nga një shitje, të vendosim klauzola apo edhe opsione përqindje të kartonit e kështu me radhë. Po nisim të zgjohemi dhe ky është aspekti pozitiv.

Piter Olainka vjet firmosi per Gentin ne Belgjike, per 1 milione euro. Skenderbeu diti te arketonte maksimalisht

Dhe, nëse dikush do të thoshte se kampionati shqiptar krahasohet me ligën e tretë italiane, atëherë pyetja lind spontane: në ligën e tretë italiane do të luante aktualisht lojtari i Lids Junajtidit, i blerë për 500 mijë euro? Në ligën e tretë italiane do të zbriste në fushë një futbollist që po bën diferencën edhe në Europa League dhe vjet e bëri në ndeshjet e grupeve dhe kualifikueset historike? Në kategorinë e tretë italiane do të kishte ndonjë klub që do të mund të shiste, edhe pse i rënë në kategori, lojtarë me çmime të rëndësishme, shpesh duke refuzuar edhe oferta si 200 mijë euro ose më shumë? Në ligën e tretë italiane do të transferohej në një kampionat elitar të Greqisë një lojtar apo një tjetër do ta kishte vlerën 500 mijë euro? E pra, përgjigja është JO e madhe. Sepse, Superliga e vitit të shkuar ka prodhuar dhe  shumë madje.

Ekuban duke firmosur me Lids Junajtidin per 500 mije euro

Sot, flasim për Ekubanin që erdhi në huazim dhe do të luajë me Lids Junajtidin pasi pikërisht në Shqipëri ra në sy. Sot flasim për Latifin që aktualisht ka një vlerë 1 milionë euro dhe mund të jetë transferimi i verës. Sot flasim për Mensah të Laçit që kalon në Greqi, por edhe për Danilo Alveshin që ka merkato edhe në Brazil dhe është nën kontratë me Flamurtarin. Flasim për Ramadamin që shkon të luajë  në ligën  e parë daneze, apo edhe për portierin Koliçi të Kukësit që e duan në Francë. Flasim edhe për xhevahiret e Tiranës, si Akuah, Mervej apo edhe Doka, ky i fundit kërkohet në Kroaci si huazim. Sakaq, për Mervejn u refuzuan 300 mijë euro nga Lasku në Austri, teksa tani e duan edhe në Turqi. Dhe, këto janë vetëm disa nga lojtarët që kanë rënë në sy dhe janë rritur në kampionatin tonë. Edhe Cetkoviç i Partizanit shkoi te Mladost në Podgoricë dhe sot luan për Europa League.

Cetkovic, pas vetem nje faze, firmosi nga Partizani te Mladosti

Lista është edhe më e gjatë, por këto janë vetëm disa nga të ashtuquajturit yje të kampionatit të shkuar, sepse nëse mbetesh te produkti vendas, e pra dy yjet e Luftëtarit, në këtë rast Abazaj dhe Bregu, që tashmë kanë një vlerë të lartë kartoni.

Eku dhe “falënderimi” nga Kievo

Kur i tha “po” Partizanit për ta huazuar në Shqipëri, Kievo nuk e kishte imagjinuar se impakti i Ekubanit do të ishte kaq i madh dhe futbollisti do të rezultonte një ndër më të mirët, për të mos thënë më i miri. Ekuban, që në karrierën e tij kishte luajtur vetëm në ligat e ulëta në Itali, gjeti ambientin ideal për tu rritur profesionalisht dhe kjo ishte padiskutim aspekti më pozitiv. Në fillim hasi vështirësi, për të gjetur portën kundërshtare dhe për tu përshtatur, por më pas e pati shumë të lehtë, saqë nisi të kthehej në një pikë force për Partizanin dhe  një tmerr për kundërshtarët. Në fund të sezonit, Kievo mendoi ta kthente, edhe pse të kuqtë e kërkuan që huazimi të rinovohej edhe për një sezon. Refuzimi i verdhebluve ishte i pritshëm dhe oferta e ardhur nga Anglia bindi ta lëshonin, duke falënderuar Partizanin për rritjen dhe shpërthimin e tij. Sa keq që të kuqtë nuk përfituan asgjë…

Latifi dhe gabimi i Skënderbeut

Liridon Latifi është padiskutim një talent dhe këtë nuk e zbulojmë ne. Edhe Xhani de Biazi mbeti i mrekulluar nga cilësitë  e tij, teksa do ta shprehte këtë mendim disa herë. Por, Skënderbeu ndoshta nuk e menaxhoi mirë rastin e kosovarit, duke qenë se në janar, pasi e kishte xhiruar në huazim te skuadra e Kukësit, nuk mund ta shiste më, pasi kishte luajtur me dy ekipe në një sezon dhe s’mund të kalonte me tre. E kështu, oferta prej gati 1  milionë eurosh e ardhur  nga Rusia, por edhe Belgjika, mbeti pezull… Tani, Latifi ka shansin të lëvizë sërish, por po pritet oferta e  duhur, që do të vijë. Sepse, Latifi është pa diskutim një lojtar i jashtëzakonshëm. Këtë herë, nuk ka huazim që të ndalojë këtë transferim.

Mervej, një “boom” i papritur

Nëse peshkon në Afrikë, mund të kesh fat, ose të bësh një gafë të madhe. Aty ku vuhet për bukën e gojës dhe jemi në botën e tretë, mund të marrësh futbollistë me kuintal, me shpresën që të paktën njëri të rezultojë super. i ndodhi Bylisit me Piter Olayinka, i cili u transferua te Genti për 1 milionë euro, duke mbushur xhepat e Skënderbeut dhe pak të ballshiotëve. Mervej është rasti i radhës. Presidenti i Tiranës, Refik Halili, po bën ankand, duke pasur në dorë një xhevahir të vërtetë, me cilësi mbi normalen. Ai, madje, ka luksin edhe të refuzojë 300 mijë euro, pasi kërkon të paktën 500 mijë euro, që do të siguronin investime dhe të ardhme te bardheblutë, që sezonin tjetër do të luajnë në Kategorinë e Parë.

Danilo Alvesh, kujdes Flamurtar

Edhe Flamurtari ka një problem të madhe dhe ai është Danilo Alvesh. Braziliani, me cilësitë tekniko-fizike, përbën tipin e atij lojtari që mund të bëjë diferencën kudo. Skënderbeu e do me çdo kusht, por është nën kontrate me klubin vlonjat dhe Sinan Idrizi ka deklaruar se do të paktën 500 mijë euro për ta lënë të lirë. Para që në Shqipëri nuk i ka askush, por jashtë mund të bëhet edhe ndonjë çmenduri. Fati i keq i Alveshit është që luan te Flamurtari, ku kaosi mbretëron prej vitesh, por mbetet një nga më të afirmuarit e Superligës.

Koliçi, shpërthim falë Kukësit

Ndoshta e meriton edhe kombëtaren dhe e ka merituar të paktën të grumbullohet edhe në të shkuarën, por tani ka arritur majën e karrierës së tij te një ekip shqiptar dhe jo vetëm. Sherif Tiraspoli mbeti i mahnitur nga paraqitja e portierit në Moldavi dhe statusi si ekstrakomunitar mund ti lehtësojë shumë punë. Kukësi pret ofertën e duhur, sepse ndoshta me 300 mijë euro mund të negociohet. E ndjekin edhe në Francë, të presim dhe shohim.

Xhevahirët e Luftëtarit në ankand

Kristal Abazaj (m.) dhe Dejvi Bregu, dy xhevahirët e Luftëtarit

Kristal Abazaj dhe Devi Bregu. Luftëtari  i sezonit të shkuar vështirë se do të përsëritet, por ajo që bëri ishte e jashtëzakonshme dhe është thënë dhe stërthënë se meritonte të paktën të shkonte në Europa League. Në sezonin e shkuar, veç të huajve Rexhinaldo, Mutumane e kështu me radhë, në sy ranë Kristal Abazaj dhe Devi Bregu. Presidenti Tavo, për të dy në paketë, kërkon të paktën 200 mijë euro, shifër që askush smund të japë në Shqipëri. Diskutimi shtyhet për jashtë, por duke qenë se Luftëtari nuk është klub elite, këtu mbetet edhe ngërçi.

Mensah, tepër i mirë për në Shqipëri

Nga Laçi te Atromitos… Historia e pabesueshme e futbollistit që vjet luante me kurbinasit dhe tani do të luajë në Superligën greke, pra në elitë, është nga ato për t’u treguar. Praktikisht, Mensah arriti të gjente një ekip për të hedhur një hap të rëndësishëm duke u bërë i njohur në Shqipëri. Laçi mbahet si skuadra që sezonin e shkuar kishte më shumë të huaj në përbërjen e saj, por që u shpërndanë më pas, gjithsecili në destinacione të ndryshme. Largimi i Emmanuel Mensah nga Laçi, mbi të gjitha me parametër zero, është një humbje e madhe për kurbinasit jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në planin sportiv. Në 17 ndeshje të luajtura me bardhezinjtë nga janari i këtij viti, sulmuesi realizoi 4 gola, por mbi të gjitha u vlerësua për cilësitë teknike dhe taktike në fushë, duke u shndërruar menjëherë në një prej lojtarëve që e udhëhoqën Laçin drejt mbijetesës, që deri në mesin e sezonit dukej thuajse e pamundur

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *