Eksodi, Kategoria e Parë transferohet në Gjermani

0

Shumë lojtarë kanë zgjedhur të ndjekin ëndrrën e tyre në Gjermani. E provon edhe Mustafaj, por nuk është i vetëm…

Lulzim Resuli

Ekipi i Shkumbinit, nën drejtimin e trajnerit Branica, që prej dy javësh ka nisur përgatitoret e verës në funksion të sezonit të ri. Së fundmi peqinasit kanë humbur shërbimet e një tjetër lojtari të rëndësishëm, sikurse është sulmuesi Erjon Mustafaj. Këtë herë duket se ëndrra e lojtarit për të luajtur jashtë Shqipërisë po bëhet realitet. Që prej një jave lojtari ndodhet në Gjermani, teksa ka disa ekipe që kanë paraqitur interesin e tyre pas një ndeshje përgatitore.

Këtë nuk e fsheh as lojtari, i cili shprehet për gazetën: “Është një moment i rëndësishëm për mua, pasi prej disa ditësh ndodhem këtu në Verder për një ëndërr që dua të realizohet. Këto ditë, përveç përgatitjeve, kemi zhvilluar edhe ndeshje dhe më janë afruar disa menaxherë. Për këtë arsye ende nuk kam firmosur, ndonëse kam pasur oferta vërtet të rëndësishme. Besoj se brenda javës të ardhshme do të vendos se cili do të jetë ekipi im jashtë Shqipërie. Prej kohësh ky ka qenë synimi im madhor në karrierën sportive”.

EKSODI
Të kërkosh një jetë më të mirë në Gjermani është krejtësisht normale dhe çdonjëri prej nesh do të donte të jetonte në atë shtet. Futbolli, ashtu si çdo aspekt tjetër i jetës në vendin tonë ka problematikat e veta, sidomos në Kategorinë e Parë. Janë të shumta ekipet që nuk i paguajnë futbollistët dhe ne nuk dëshirojmë ta nxijmë veten, por realiteti i tillë është dhe një tregues mjaft i qartë është edhe numri i lojtarëve që po largohen drejt Gjermanisë për të luajtur në liga inferiore.

Mund të përfitojnë një mijë euro në muaj atje, ndoshta edhe më pak apo më shumë, por i kanë të sigurta dhe do kenë mundësinë të jetojnë në një shtet ku mundësitë janë më të mëdha për ta dhe familjet e tyre. Këtë rrugë e kanë ndjekur shumë futbollistë, madje edhe nga ata që kanë luajtur në Superiore si Elton Doku, Ilir Çaushaj e Ledian Muçaj. Lista është e gjatë, me portierët Sulejman Hoxha e Andi Xhixha që këtë verë kanë lënë Shqipërinë, ashtu siç kanë bërë më parë Erbi Myftaraj. Emiljano Lluca e Emiljano Lundraxhiu. Suad Kaloshi ka lënë Burrelin, Odeon Bërdufi Turbinën, ndërkohë që nga Egnatia janë larguar Xhimi Bullari dhe Roland Pepa.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here