Ekskluzive/ “Zbërthehet” Preiti: Partizani, Demi dhe Moxhi!  

Eraldo Harlicaj

E mbani mend Antonelo Preitin, ish-drejtorin sportiv të Partizanit? Sigurisht që e mbani mend! Në kampin e kuq nuk do ta harrojnë për gjatë, ashtu si presidenti Gaz Demi. Në fakt, që pas largimit të tij nga Shqipëri. Ish-zyrtari i kuq nuk ka folur asnjëherë për aventurën që kaloi te skuadra e Partizanit. “Sport Ekspres” arriti të kontaktojë me të dhe t’i marrë një intervistë.

Drejtor, çfarë po bëni momentalisht?
Në këtë kohë po bëj këshilltarin e një klubi spanjoll dhe një agjencie angleze për zbulimin e talenteve të reja (skaut). Kur të gjej një klub me një projekt të mirë dhe që më lejon të bëj punën time do ta marr në konsideratë. Për momentin nuk ngutem, pasi dua të pres mundësinë time me qetësi.

A jeni i zhgënjyer që Partizani nuk iu ofroi kontratë të re?
Jo, nuk jam i zhgënjyer. Për mua ishte një eksperiencë e mirë për të njohur një futboll që nuk e dija. U përpoqa të sillja profesionalizmin dhe seriozitetin tim në një futboll ndryshe. U përpoqa të përshtatem shpejt, por nuk ishte aspak e lehtë. Klubi bëri pjesën e tij, por e vështirë të ndryshosh kur ke një mentalitet tjetër. Dua të them dhe pjesën tjetër që presidenti Gaz Demi më ofroi mundësinë të punoja dhe në sezonin 2018-19 me Partizanin. E falënderova, por preferova të mos vazhdoja bashkëpunimin me zgjedhjen time personale.

Çfarë problemesh hasët në Shqipëri?

Nuk kisha asnjë probleme me presidentin, drejtuesit, apo lojtarët. Në klub u përpoqa të bëja mirë, por nuk është e lehtë në një vend si Shqipëria ku ka kaq shumë gjëra për të bërë dhe për të ndryshuar. Le të themi se ka edhe njerëz të rinj interesantë, por kam vërejtur se nuk ka struktura, figura profesionale, por mbi të gjitha mentalitet, shpresoj që një ditë mund të rritet futbolli shqiptar, por për ta bërë këtë duhet kohë, para, struktura dhe ndryshim mentaliteti.

Po marrëdhënia me Moxhin? Pak kontroverse. Kur fitonit dilte ai e fliste për mediet, kur humbnit e linte te ju barrën e dështimit…
Do të doja të shtoja se isha me fat që kisha marrëdhënie me Moxhin, është e rëndësishme të mësosh nga këshillat e tij, sepse ai është një person i cili ka bërë historinë e futbollit ndërkombëtar.

Si mendoni se mund të ringrihet Partizani?
Për klubin më duhet të them se rruga e suksesit është e gjatë, por vetëm me një projekt serioz, përulësi, struktura të përshtatshme për të rinjtë dhe ekipin e parë dhe me figura profesionale dhe jo të improvizuara mund të arrihen rezultate maksimale.

Diçka të fundit…

Dua të përshëndes popullin shqiptar dhe t’i falenderoj të gjithë për mikpritjen.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *