Ekskluzive/ Veteranët e Skënderbeut, gati kthimi në Korçë

Skënderbeu vijon stërvitjen me një skuadër mjaft të rinuar në krahasim me sezonin e shkuar, ndërkohë që sot është larguar edhe Enis Gavazaj, i cili do të shkojë te Jenisej në Rusi.

Ndërkaq, prej javësh ka paqartësi për të ardhmen e disa prej shtyllave të skuadrës, sepse lojtarë si Radas, Vangjeli, Muzaka e Osmani kanë pasur oferta dhe gjithashtu kanë qenë në dilemë për faktin se përjashtimi nga kupat e Europës ka qenë një goditje e rëndë për Skënderbeun, që mund të pasohet nga një goditje edhe më e rëndë në fund të vitit, nëse CAS i jep të drejtë UEFA-s.

Megjithatë, pak nga pak duket se veteranët e Skënderbeut po binden për seriozitetin e Skënderbeut dhe projektin që do të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm.

Marko Radas gjeti sot marrëveshjen me klubit dhe do të vijojë në Korçë, ndërkohë që “SportEkspres” mëson se edhe Vangjeli, Muzaka e Osmani janë gati të kthehen në Korçë. Të tre futbollistët kanë biseduar orët e fundit me drejtuesit e Skënderbeut dhe pritet të kthehen në Korçë.

32-vjeçari Vangjeli luajti 31 ndeshje të plota në Superiore sezonin e fundit, duke qenë një ndër lojtarët me më shumë minuta, ashtu si 33-vjeçari Muzaka, i cili befasoi me rendimentin e tij të lartë, duke qenë për 2500 minuta në fushë.

Ndërkaq, 33-vjeçari Tefik Osmani vjen nga një sezon me luhatje, sepse luajti vetëm 1455 minuta, pak në krahasim me veteranët e tjerë, por pesha e tij në fushë, por edhe si personalitet jashtë saj, është e padiskutueshme dhe këtë e dinë mirë në Korçë.

Vangjeli ka pasur oferta nga Greqia, ndërsa Muzaka e Osmani kanë biseduar me Flamurtarin, por duket se do të kthehen te kampionët. Vetëm Gledi Mici duket një largim i sigurt në këtë pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *