Ekskluzive/ U kthye si lojë pokeri, menaxheri i Rashicës: E vendosëm me Werderin, kishte oferta të mira

Çështja e Milot Rashicës te Werder Bremeni u kthye në një lojë pokeri. Klubi gjerman kërkonte një rinovim të sulmuesit shqiptar, duke kërkuar që t’i vendoste një klauzolë më të lartë. Në këtë mënyrë do të përfitonte më shumë të ardhura nga shitja e mundshme.

Nga ana tjetër, menaxheri i Rashicës dhe njëkohësisht legjenda e Kombëtares, Altin Lala, nuk e pranoi një gjë të tillë. Kjo pasi shumë skuadra që ishin të interesuara për këtë futbollist do të largoheshin për aspektin financiar.

Në intervistën e zhvilluar nga “Sport Ekspres” me Lalën, është folur edhe mbi këtë çështje. E gjitha kjo u kthye edhe si një lojë, ku të dyja palët i hapën kartat e tyre në tavolinë për të fituar sa më shumë. Werderi kërkonte të ardhura më të larta nga shitja, ndërsa Lala një skuadër edhe më të njohur për Rashicën, klientin e tij, që po zhvillon sezone fantastike në “Bundesligë”.

“Milot Rashica ka pasur shumë rritje në këto kohë. Ka një kontratë deri në vitin 2022 aty te Werderi. Gjithashtu edhe kërkesa në merkaton që kaloi. Më detaje të sakta nuk mundem të flas, që për çfarë shifrash bëhej fjalë.

Por mund të them që ishin oferta të mira edhe në anën financiare. Tashmë e kemi vendosur me klubin që Rashica të qëndroj edhe një vit atje ku është. Nuk duhet të harrojmë që ka pasur edhe disa shqetësime fizike që e kanë lënë jashtë fushës së lojës. Më pas do të shohim për variantet e tjera”, ka thënë Lala, duke përjashtuar kështu mundësinë e largimit në janar. /Sport Ekspres/