Ekskluzive/ Trajneri vlonjat që dërgoi Greqinë në gjysmëfinale: Mos harroni edhe Leonidha Currin!

Sporti që ka tërhequr më shumë vëmendje në kohët e fundit në Greqi, ishte kampionati botëror i minifutbollit. I organizuar në vendin helen dhe ku loja ishte 6×6, kanë marrë pjesë rreth 40 Kombëtaret më të mira në botë. Evenimenti u organizua në Rethimnos të Kretës dhe kishte një mbështetje të jashtëzakonshme.

I zgjedhur në një vend që vizitohet pafundësisht shumë, në pjesën më të madhe të rasteve do të ishin turistët që do të mbushnin edhe shkallët e stadiumit. Gjithmonë e stërmbushur shihej ajo arenë, për të ndjekur më nga afër takimet e zhvilluara.

Greqinë e drejtonte trajneri shqiptar nga Vlora, Andrea Drenova. Gjithashtu dy nga lojtarët më të mirë të ekipit ishin shqiptarë, si Amarild Xiso dhe Laert Thanasai. Helenët kanë arritur deri në gjysmëfinale të turnout, duke marrë vendin e tretë. Vlerësime të jashtëzakonshme ka marrë Drenova si trajner, ndërsa “Sport Ekspres” ka intervistuar teknikun në fjalë pas përfundimit të kampionatit botëror.

“Ne kemi pasur gjithmonë përkrahjen e njerëzve dhe medalja që morëm ishte arritje e madhe për futbollin grek. Mua më kanë mbështetur të gjithë, publiku, mediat, lojtarët, stafi dhe Federata. Prandaj dua t’i falenderoj që të gjithë. Dua të përshëndes nëpërmjet zërit tuaj edhe opinionin sportiv shqiptar.

Kam një rrugëtim të gjatë në futbollin helen. Sapo kam mbyllur karrierën si futbollist pasi u dorëhoqa nga një dëmtim i rëndë, u futa në drejtimin për të trajnuar lojtarët e rinjë. E nisa me një akademi private në fillim dhe duke parë punën e bërë, më afroi klubi i madh i Panathinaikosit. Kam disa vite që jam trajner në grupmoshat e atij ekipi. Përpara tre vitesh më erdhi edhe një ofertë nga Presidenti i Minifutbollit të Greqisë që të merrja drejtimin e saj. E pranova me shumë kënaqësi dhe për shumë faktor.

Aq më tepër që jam shqiptar, por mos harroni që trajner i ekipit kombëtares të Greqisë ka qenë edhe trajneri i lavidshëm vlonjat, Leonidha Curri. Pra ne vlonjatët e vazhdojmë stafetën. Dhe nga ajo ditë që mu dha detyra dhe deri më sot unë vazhdoj të jem trajneri i Greqisë për minifutbollin.

Peng më ngeli të them të drejtën që nuk avancuam dhe më tej. I kishim mundësitë, mbështetjen e njerëzve dhe luanim në fushën tonë. Por edhe deri aty ku shkuam ishte një arritje e madhe. Në ekipin tonë erdhi edhe ish-kampioni i Europës në 2004 me Greqinë, Kostas Kacuranis. Përvoja dhe imazhi i tij na dha një tjetër ngjyrë. Mundësitë ishin që të arrinim deri në finale të paktën. Por unë jam shumë i kënaqur me djemtë”.

I pyetur nga ana jonë për racizmin e shqiptarëve në Greqi, Drenova na përgjigjet: “Të them të drejtën në këtë vend që jetojmë ne i shohim të gjitha. Çdo moment mund të ndihet në vështirësi për paragjykimet që kanë ndaj nesh si shqiptarë. Por ju garantoj diçka, që në aspekt personal nuk e kam ndierë këtë përçmim. Sepse unë jam që i vogël në Greqi dhe jam adaptuar mirë. Nuk i kam ato paragjykime të shoqërisë. Dhe në këtë post që kam si trajner i moshave te Panathinaikosi dhe trajneri i Greqisë së minifutbollit kam shumë përkrahje. E dashuroj punën dhe dua të jap kontribut në nxjerrjen e talentave për Kombëtaren e Shqipërisë. Gjithmonë me miqtë e mi të mirë jam afër komunitetit shqiptare. Jam krenar për origjinën time”, ka përfunduar Drenova. /Sport Ekspres/