Ekskluzive/ “Tirana po fluturon me krahë, i shërben Partizanit! Rama: Dy gola fantazmë kundër nesh në “Air Albania”

Olsi Rama e sheh problemin vetëm te gjykimi, ndërsa flitet për ndeshjen mes Partizanit dhe Bylisit. Të kuqtë ishin në avantazhin e dy golave, por miqtë kanë arritur që të barazojnë në minutat e fundit të takimit. Gjithsesi drejtuesit e të kuqëve kanë shumë dyshime te goli i dytë, ose për ta thënë më saktë, janë të sigurt se ndërhyrja e Belicës ishte vendimtare që topi të mos e kalonte vijën sipas tyre.

Por goli i është quajtur Guindos, duke sjellë kështu barazimin në shifrat 2-2. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres” pas përfundimit të takimit, Olsi Rama ka folur edhe në lidhje me derbin e Shqipërisë.

“Në radhë të parë përgëzime Bylisit që erdhi në kryeqytet dhe bëri ndeshje të mirë. I kishim marrë masat që ndeshja të zhvillohej në kushtet optimale. Rezultati na dënoi, nuk ishte ndeshje pozitive. Bylisi nuk vodhi ndonjë gjë, por Partizani u vodh nga gjykimi. Në stadiumin më të mirë ku ne paguajmë që ndeshjet të zhvillohen në standarte europiane, dënohemi në dy ndeshje me dy gola fantazmë që nëse për të parin kam dyshimet e mia, për të dytin jam i sigurt që nuk është gol. Pastaj edhe një gol i anulluar. Janë tre pikë të humbura nëse do të ishte një ndeshje normale, por nuk jam i kënaqur as me ekipin, pasi duhej të bënim më tepër.

Nuk është problem sektori të fushës, por përqasjes që e menduam të lehtë ndeshjen pas rezultatit 2-0. Derbi? Detyra është që të zbresim për të marrë tre pikët, sidomos tani pas Bylisit që kemi gabuar. Tirana po fluturon në krahët e entuziazmit dhe mbase kjo do të jetë më mirë për ne, që ta fitojmë këtë ndeshje. Masat ndëshkuese do të merren bashkarisht nëse ekipi nuk përgjigjet, por vijmë nga disa fitore radhazi dhe sot ishte një gol një fantazmë. Nuk ishte gol, por anësori e ngriti shpejt flamurin që topi të niste nga mesfusha. Kaq mund të them”, u shpreh Olsi Rama. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *