Ekskluzive/ Tirana me sytë vetëm nga Arlind Ajeti, dëshira tjetër nuk i lëviz nga Kina

Tirana është duke kërkuar edhe një mbrojtës, për të kompletuar grupin dhe për të luftuar për titullin kampion. Nëse do të merrej një emër i njohur në këtë pozitë, atëherë shanset për të dalë me sukses në këtë kampionat do të ishin të mëdha.

Për momentin bardheblutë i kanë sytë vetëm te marrja e Arlind Ajetit. Ky i fundit e ka lënë Tiranën si zgjedhje të dytë, nëse nuk gjendet një tjetër hapësirë përgjatë kësaj kohe. Por deri tani asnjë skuadër tjetër e huaj nuk e ka kontaktuar Ajetin për ta marrë në skuadër.

Kjo e shton disi optimizmin për kryeqytetasit, që një alternativë B dhe me kalibër të lartë nuk e kanë në rast se Ajeti refuzon ofertën e ekipit të Superiores. Disa ditë më parë është përfolur një kalim i Albi Allës te Tirana, por “Sport Ekspres” konfirmon nga burime të sigurta pranë lojtarit se nuk do të lëviz nga Kina edhe për këtë merkato. /Sport Ekspres/