Ekskluzive/ “Tirana kampion dhe Superiore me 12 ekipe”, Hoxha jep zgjidhjen për tavolinën: Vjen Pogradeci me Kastriotin

Futbolli në Shqipëri është pezulluar ashtu si edhe në pjesën më të madhe të Europës për shkakun e pandemisë. Data të reja dëgjojmë për rinisjen e kampionateve, por që po shtyhen në mënyrë të vazhdueshme për shkakun se në shumë vënde vetëm sa ka nisur përhapja e Koronavirusit dhe nuk është arritur ende kulmi.

“Sport Ekspres” ka intervistuar lojtarin e Flamurtarit, Ardit Hoxhaj. Teksa na flet për vështirësinë e kësaj periudhe, futbollisti jep edhe alternativën që do të linte më tepër të kënaqur klubet, nëse kampionati në Superiore do të mbyllej para kohe dhe nuk do të kishte asnjë mundësi për të vazhduar. Ajo që propozon Hoxhaj është një sezon i ri me 12 ekipe, për të qendruar Flamurtari dhe Luftëtari dhe për të ardhur dy ekipet nga Kategoria e Parë, ndërsa vendi i parë dhe titulli kampion do të shkonte padyshim te Tirana.

Hoxhaj, e ke marrë veten ndopak nga kjo situatë që po përjetojmë apo të duket ende vetja si në ëndërr?

Kjo është një situatë shumë e vështirë dhe nuk e mendoja kurrë se do arrinim deri në këtë gjendje. Në fillim nuk e mora seriozisht situatën, por masat u shtrënguan dhe dëgjonim se çfarë po bëhej në Itali. Atje po vdisnin qindra persona në ditë dhe aty kuptova se rrezikoheshim vërtet shumë.

U dëmtuan mushkritë e njerëzve, por u pastruan ato të tokës. A e sheh edhe ti si një moment reflektimi?

Po është e vërtet kjo, pasi kur e shikon në një këndvështrim tjetër, duket sikur është natyra që hakmerret ndaj nesh. Mushkritë tona janë ato që po bllokohen tani me këtë virus. Duhet të na lërë një mësim të madh që ta duam planetin tonë dhe çdo gjë që ekziston në këtë tokë.

E gjeni motivimin e mëparshëm për të stërvitur? Pasi nuk mund të jetë e njëjtë, gjendje që ndikon edhe psikologjikisht apo jo?

Për mua si lojtar është vërtet shumë e vështirë. Më mungon shumë ajo monotonia e ditës. Stërvitja, ndeshjet, gjithçka. Jam adoptuar në shtëpi dhe tani bëj stërvitjet sa më lejon edhe vendi i shtëpisë. Por qëllimi është për të mbajtur muskujt në formë.

E mendoni vazhdimin e kampionatit?

Nuk mendoj se tani në këto momente e ka dikush mendjen te vazhdimi i kampionatit. Të ndihmojmë njëri-tjetrin për ta kaluar këtë situatë, të rrimë në shtëpi dhe të respektojmë rregullat e shtetit, që të dalim sa më parë nga kjo situatë.

Në Europë gjejmë shumë skenare për mbylljen e kampionateve. Sipas jush, kush do ishte zgjidhja më e mirë në Superiore?

Për kampionatin më ka pëlqyer ajo ideja e presidentit të Sampdorias, që tha se nëse nuk gjendet koha e duhur për t’u përgatitur, për t’u rifilluar dhe për t’u mbaruar, është e kotë që të vazhdohet. Për mendimin tim të shpallet Tirana si kampion dhe vitin tjetër të ngjiten në Superiore, Kastrioti dhe Pogradeci pasi edhe ato kanë një vit që sakrifikojnë. Pra ta kemi një Superiore me 12 ekipe vitin tjetër. /Sport Ekspres/