Ekskluzive/ Të gjithë presin largimin e Lorenc Trashit, dy ekipe nga vendi që “dashuron” Superioren

Merkatoja ende nuk ka përfunduar dhe ekipet janë duke luajtur shanset e tyre për t’u përforcuar. Në lupën e klubeve janë vënë edhe emra lojtarësh shqiptar, ku nuk mungon ai i Trashit. Futbollisti i Partizanit ka bërë mjaft mirë me të kuqtë, me të cilët arriti të shpallej edhe kampion sezonin e shkuar, ndërsa paraqitjet e mira i sollën edhe ftesën e Rejës për Kombëtaren.

“Sport Ekspres” mëson se Lorenc Trashi ka ngjallur interes në elitën e Turqisë, ku dy skuadra janë vënë pas tij dhe kërkojnë shërbimet e lojtarit. Nëse gjithçka do të konkretizohet në fund me firmën e futbollistit, atëherë ky do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e tij, në një vend që duket se ka një “dashuri” me lojtarët e Superiores. I fundit që u transferua ishte Selmani, për të cilin rezultoi një vendim i duhur, ndërsa janë përfolur edhe emrat e Domgjonit dhe Çinarit. Me sa mësojmë deri tani nga burimet tona, gjithçka është vetëm në fazën e bisedimeve dhe pritet një avancim i mëtejshëm në ditët në vijim./Sport Ekspres/