Ekskluzive/ Talenti i akademisë i dha goditjen e fundit, Pusi: Vllaznia meriton luftën për titull kampion

Belajdi Pusi vulosi fitoren e Skënderbeut ndaj Vllaznisë në shifrat 2-1 duke u gjetur në momentin dhe vendin e duhur për të dërguar topin në rrjetë. Një prodhim i akademisë shkodrane që i jep një goditje klubit që rrallëherë ka shfrytëzuar potencialin e lojtarëve që ka prodhuar vetë. Tashmë për Vllazninë është thuajse e pamundur që të evitojë “Play-Out”, me Bylisin që ka gjithçka në dorë për t’ia dalë në këtë betejë.

Në një prononcim për “Sport Ekspres” pas ndeshjes, Pusi që nuk festoi pas golit të shënuar, shpreh keqardhjen për gjendjen e Vllaznisë. Madje duke u shprehur se tifozat shkodranë dhe qyteti në fjalë meriton që të luftojë për titull kampion.

“Jam shumë i kënaqur për golin dhe për tre pikët që morëm në këtë ndeshje. Normalisht brenda vetes kisha një gëzim shumë të madh, por e kam menduar para ndeshjes dhe i’u kam thënë edhe shokëve të ekipit nëse shënoj, nuk festoj.

Më vjen shumë keq që Vllaznia ndodhet në këto pozita, shpresoj që të jetë ky sezoni i fundit që ata po vuajnë. Ata tifozë dhe ai qytet meritojnë një Vllazni që lufton për titull kampion. Nuk dua të merrem me fjalë, por po stërvitem në çdo ditë për të përmirësuar shumë gjëra. Zoti është i madh dhe ta shpërblen mundin e sakrificën”, u shpreh Pusi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *