Ekskluzive/ Shulku tregon vlerësimin e UEFA-s për “Arenën Kombëtare” pas testit: Kjo ishte përgjigja!

Shumë zhurmë e panevojshme është bërë mbi “Arenën Kombëtare” gjatë kohëve të fundit. Kjo pasi UEFA ende nuk e kishte bërë zyrtare që ndeshja me Francën do të luhej në stadiumin e ri të Kombëtares.

Mëse e kuptueshme kjo, pasi u tha që vlerësimi dhe vendimi përfundimtar i UEFA-s do të vinte në ndeshjen testuese mes Apolonisë dhe Vllaznisë për femra. Ashtu edhe ndodhi, teksa zyrtarë dhe delegatë të organizmit më të lartë të futbollit europian ishin në pranishëm në Tiranë. Por cila ishte përgjigja e tyre pasi e kanë më afër këtë arenë? Të pranishëm në stadium, “Sport Ekspres” ka marrë edhe një prononcim të sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku:

“Arena Kombëtare” e kaloi testin. E patë dhe vetë që ishin përfaqësues të UEFA-s dhe panë me detaje funksionalitetet e stadiumit. Nisur edhe nga opinionet e tyre është test i kaluar dhe të shohim inagurimin e vërtet kundër Francës. UEFA kishte disa pika si merak që duhej të shihnin. Është rregulli i tyre që duhet provuar stadiumi me një ndeshje testuese. Atje shihet fonia, cilësia e fushës, pozicioni i kamerës, mediat, tifozët, hyrja dhe gjithçka. Ato janë parë dhe kanë dhënë “OK”. Fusha nuk është në kushtet optimale nisur edhe nga koha që ka mbajtur shi. Ishte një pjesë që nuk e ka kapur shumë dielli dhe në këtë periudhë rreth 1 javë që na ndan nga ndeshja do forcohet edhe më tepër”, ka thënë Shulku. /Sport Ekspres/