Ekskluzive/ “Shqyqyr që e bëre”, Laçi tregon batutën me trajnerin: Nga 1-10? Shqipërinë e dua “11”

Vetëm goli i mungonte dhe atë arriti që ta shënonte në mbrëmjen e sotme ndaj Rodez. Pas shumë paraqitjeve të mira me Ajaccion, ka shënuar me një gjuajtje të fuqishme që u ndalë në rrjetë, për të mbyllur rezultatin 1-0.

Pas kësaj fitore, Ajaccio mban kryesimin e kampionatit në vendin e parë, duke dalë hapur me objektivin për t’u ngjitur në elitën e futbollit francez. Me mesfushorin shqiptar, Qazim Laçin, që është një nga lojtarët kyç të suksesit.

Punëtor, i talentuar, kokëulur dhe mbi të gjitha me një dashuri të madhe për fanellën e Shqipërisë. Ky do të ishte përshkrimi më i duhur për të. Nga intervista e marrë nga “Sport Ekspres” pas golit ndaj Rodez, Qazim Laçi nuk të vend për shumë nënkuptime: “Nga 1-10? Shqipërinë e dua edhe më tepër”.

Goli i parë në kampionat dhe ajo predha nga distanca. A e mendove shumë gjatë atë top para se ta godisje?

Ishte e gjitha intiktive sapo e pashë topin që erdhi. Kur hyri në rrjetë topi pastaj, ishte një kënaqësi shumë e madhe.

Në fakt rrallëherë bën gola, por kur bën, i ke nga distanca dhe super realizime. Nuk i do këto golat e thjeshtë?

(Qesh) Golat e thjeshtë janë për lojtarët e tjerë, sulmuesit. Ndërsa mesfushorët duhet të provojnë disa gola më të vështirë.

Po trajneri çfarë të tha pas ndeshjes, se ju keni edhe një lidhje të veçantë me njëri-tjetrin. Gjithmonë të preferon si lojtar, pati ndonjë bisedë?

Po menjëherë më ka përgëzuar pas ndeshjes. Po trajneri kërkon gjithmonë dhe më tha shyqyr që e bëre golin në pjesën e dytë. Se në pjesën e parë e kisha humbur edhe një rast të mirë prandaj reagoi në atë mënyrë (qesh). Jo është e vërtet që më ka përgëzuar gjithmonë dhe pret shumë nga ana ime në fushë.

Tani nga 1-10, sa e do Qazim Laçi ardhjen te Kombëtarja?

Sa e dua? Pak më shumë se 10 përshembull a ka? Le ta lëmë 11 më mirë.

I qartë. Ka ardhur ndonjë ftesë për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares?

Unë i kam ndjekur gjithmonë ndeshjet e Kombëtares. E kam thënë edhe më parë në intervistën për ju, dua të flas vetëm në fushë për këtë aspekt. Shpresoj që ftesa të më vijë dhe do të jap më të mirën. Pastaj nëse bëhet e mundur të luajë kundër Andorrës dhe sidomos Francës, do të ishte krenari e madhe. Pa harruar edhe atë stadiumin e ri që është bërë, “Arenën Kombëtare”, do të ishte emocion më vete.

Po sikur të japim një ofertë. Shkon në “Ligue 1” ose shkon te Kombëtarja. Cilën do të zgjidhje dhe cilën do të lije?

Të dyja i dua. Me të parën e dërgoja zërin e shqiptarëve sa më lartë, pasi do të isha pjesë e një kampionati shumë të njohur në Europë, pastaj me të dytën prezantoja origjinën time. /Sport Ekspres/