Ekskluzive/ Rrëfimi i Sinan Idrizit: Taye Taiwo na u largua, i marrë unë përgjegjësitë

Flamurtari nuk ndodhet në një moment të mirë në Superiore. Aktualisht skuadra vlonjate ndodhet në vendin e fundit dhe pa marrë ende fitoren e parë në këtë kampionat. Sigurisht që gjendja është e vështirë, por në Vlorë ka ende shpresë për mbijetesën në elitën e futbollit shqiptar.

“Sport Ekspres” ka komunikuar me administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizi. Atje kemi folur për shumë probleme dhe të prekshme aktuale, por njëkohësisht edhe për Taye Taiwo, ish-lojtarin e Milanit që u përfol si afrimi i ri. Në fakt rezultoi i tillë pasi mbërriti në Vlorë, por kishte kërkesë të lartë financiare.

“Ajo që unë kërkoj është që të luftohet deri në fund. I marrë unë të gjitha përgjegjësitë pastaj, për mirë apo për keq për Flamurtarin. Kjo që po kalohet është një histori që nuk ia vlen ta zësh në gojë, por e përsëris që i marrë unë përsipër përgjegjësitë.

Nuk kam qenë qëllimisht në mbledhjen për ligjin e sportit, pasi për mua ishte e tipit: “Vajtëm i pamë dhe ata na panë”. Asnjë president nuk ka burimet e mjaftueshme për të mbajtur klubin. Ne nuk po krijojmë dot ekonominë. Tani kush po e kërkon amnistin këtu, kur ka të tjerë që i kanë deklaruar rrogat e tyre si në komunale?

Futbolli shqiptar me 10 ekipe për mua është katastrof, është i dështuar. 3 ekipet luftojnë për titull, 3 për Europë dhe 3 të tjera nuk dihen ende se ku janë. Ne shkojmë 4 herë në vit në të njëjtin qytet, jemi të vetmit në Europë me këtë histori me 4 faza. Libohova është shumë i zoti në punën që bën, por duhet të krijojë ekonominë e futbollit, jo të jetë i mendimit: “Hajde të shylejnë disa borxhe skuadrat”. Sa i përket afrimeve të reja, Taye Taiwo ishte në Vlorë. Një djalë i mrekullueshëm dhe që bëri seancë stërvitore me ne, por u largua për shkak se kishte kërkesë të lartë financiare”, ka thënë Idrizi. /Sport Ekspres/