Ekskluzive/ Rrëfimi i Rrahman Hallaçit: Kam folur me presidentin, pse jo…si trajner i Kukësit

Kukësi është një nga ekipet shqiptare që ka marrë më shumë rezultate në vendin tonë përgjatë këtyre viteve të fundit. Një moment jo të mirë po kalon aktualisht, që sigurisht ndikojnë sadopak edhe largimet e figurave ikonë.

Rrahman Hallaçi ishte një prej figurave që i ka dhënë aq shumë Kukësit si futbollist, por njëkohësisht edhe nga pankina si zëvendës trajner. Aktualisht po drejton ekipin e të rinjëve te “Internacionali”, por siç e thotë edhe vetë, dera te verilindorët është gjithmonë e hapur për të. Në një rrëfim për “Sport Ekspres”, Hallaçi tregon edhe objektivin e tij për të marrë Kukësin si trajner i parë.

Je trajneri i një akademie. Si po ecën kjo eksperiencë e re dhe cfarë kënaqësie fiton kur trajnon të rinjtë?

Eksperienca ime e dytë, pasi kam qenë edhe zëvendës trajner. Eksperiencë shumë e mirë për mua. U-19 është si skuadra e parë, pasi stërviten njësoj si ekipi i të rriturëve. Po i ndihmoj ata, si po më ndihmojnë mua. Kënaqësi e veçantë të punosh te akademia e “Internacionalit” pasi ka kushte të mira dhe ne kemi një objektiv për të marrë kampionatin.

Kur i sheh ato djelmosha dhe akademitë që po shtohen në Shqipëri. Kur mund t’i marrim frytet që grupmoshat tona Kombëtare të furnizohen pikërisht me këto produkte?

Thjesht duhet vetëm sa më shumë vëmendje dhe të mos mendohet se në akademi nuk ka futbollistë. Jo të mendojmë se lojtarët nga jashtë bëjnë gjithmonë diferencën. Mendoj se është e kundërta, ka shumë lojtarë cilësorë te akademia jonë dhe te grupmoshat e tjera te “Internacionalit”. Kemi shumë talente që duhet t’i shohin.

Po çfarë kushtesh ka realisht kjo akademi, në kuptimin për t’i krahasuar me ato jashtë përshembull?

Unë është hera e parë që gjendem në një akademi, jam stërvitur vetë te Internacionali. Kur kam parë kushtet dhe ishte një nga arsyet kryesore se përse erdha. Ka pesë fusha dhe bazë materiale të mjaftueshme. Kështu u binda për të marrë skuadrën dhe te “Internacionali” ke kushte për të punuar si në çdo vend të Europës.

Ndalemi pak te Kukësi. Rezultatet që janë marrë deri tani, si i vlerësoni? Mund të bëhej me shumë? Pasi vijueshmëria mungon si te rezultatet dhe sulmi Gavazaj-Shkurtaj-Abazaj.

Si Gavazaj dhe Abazaj janë lojtarë shumë cilësorë. Ndoshta për momentin nuk janë harmonizuar si duhet. Kërkohet dhe pak kohë dhe do të jenë lojtarët kryesorë te Kukësi. Por Kukësi nuk duhet të bazohet vetëm te ata pasi ka shumë elemente të tjerë cilësorë. E shoh për pak kohë në krye të kampionatit dhe si rivalin kryesor të Partizanit për titull.

Pra këto dy ekipe do të luftojnë për titull sipas jush?

Kukësin dhe Partizanin, pastaj shoh ekipet e tjera kur flitet për luftën e titullit.

Tifozët janë më të pakët në krahasim me periudhën e mëparshme. Cila është arsyeja, mund të ketë ndikim sadopak edhe largimi i figurave ikonë?

Për mua është normale kjo, pasi Kukësi nuk luan në qytetin e tij. Tifozët janë të justifikuar. Nëse luhet në Kukës, stadiumi mbushet. Në 8 vite Kukësi ka marrë rezultate shumë të mira dhe nuk ka mbetje hatri nga tifozët. Unë jam në brendësi të ekipit. Asnjë tifoz kuksian nuk është i mërzitur, pavarësisht ndonjë humbje të momentit dhe Kukësi aty afër kreut është.

Kur do ta shohim Hallaçin me post të lartë te Kukësi?

E kam derën e hapur gjithmonë dhe kam folur me presidentin. Ai e di dashurinë time për atë fanellë. Unë po marrë një eksperiencë te të rinjtë dhe po marrë përvojën, e kam filluar për të kuptuar vetë sesi është të jesh trajneri i parë. Pastaj në të ardhmen pse jo, që nga ish-kapiteni i ekipit të jem trajneri i Kukësit.

Si të duket kampionat shqiptar në tërësi? Më shumë enigmatike mbetet Skënderbeu. Trajneri Daja ka thënë që mos prisni Skënderbeun e mëparshëm, por sërish janë në vendin e parë. Pra, cfarë Skënderbeu pret?

Skënderbeu duke parë edhe trajnerin është ta respektosh, pasi Daja i ka dhënë provat si trajner. Por Skënderbeu ka problemet e veta dhe që i dinë të gjithë, nuk kemi pse i përmendim prapë. Unë i uroj më të mirat, por Skënderbeu nuk mund të dalë para Kukësit, Partizanit apo Tiranës në fund të kampionatit. Nuk mundet të shkoj deri atje. Edhe ata kanë lojtarë të mirë, është e pamundur që të kaloj Kukësin se ka ekip të kompletuar.

E meqë folëm për Dajën, u vetëofrua për Kombëtaren. Si e sheh këtë çështje, janë aftësitë për të na drejtuar një trajner shqiptar?

Në mënyrë absolute ka trajneri shqiptar që lexojnë dhe dinë shumë për këtë detyrë. Si puna e futbollistëve, që shihen më mirë nëse vijnë nga jashtë. Ne duhet të bindemi që trajnerët shqiptar kanë aftësitë e duhura. Lexojnë dhe studiojnë shumë. Po bindemi se trajnerët nga jashtë nuk janë më të mirët se këta këtu. Çdo trajner si Duro, Daja, Starova kanë aftësi për të drejtuar në nivele të larta ekipet kombëtare. /Sport Ekspres/