Ekskluzive/ Rrëfimi i Ergys Lugës: Çfarë ka më shumë Reja se Daja? Në Kinë edhe dielli ndriçon ndryshe

Ergys Luga ka nisur një eksperiencë të re dhe krejtësisht të panjohur për trajnerët shqiptarë, teksa ka shkuar për të stërvitur të rinjtë e Shenzenit në Kinë. Një ofertë që i mbërriti këtij tekniku që asokohe ishte pjesë e Kamzës dhe nuk e mendoi dy herë, pasi kërkonte të provonte veten në një tjetër sfidë.

“Sport Ekspres” ka arritur të kontaktojë me të, për të parë sesi po shkon ecuria e Lugës, pavarësisht se shumë distancë i ndajnë dy vendet tona. Në intervistën e zhvilluar, teksa na shprehet se edhe dielli ka një ndriçim ndryshe në Kinë, nuk mund të linim pa përmendur edhe aspektin e Kombëtares.

Ergys përshëndetje. Je shumë larg Shqipërisë. Sa po ambientohesh me jetën e re dhe me kulturën krejtësisht tjetër nga e jona, në Kinë?

Të them të drejtën edhe po të ndërrosh qytet brenda Shqipërisë është e vështirë të ambientohesh. Jo më këtu, që është edhe më e vështira. Por klubi më ka ndenjur pranë dhe më ka udhëzuar në aspektin e jetesës dhe mentalitetit. E them me plot gojën, që edhe dielli këtu ka ndriçim tjetër.

Sa i përket stërvitjes së brezit të ri në Kinë. Çfarë edukimi marrin lojtarët dhe deri ku mund të shkojë e ardhmja e atij vendi, pra sa premton?

Sa i përket stërvitjes së brezit të ri në Kinë. Çfarë edukimi marrin lojtarët dhe deri ku mund të shkojë e ardhmja e atij vendi, pra sa premton?

Kina po investon shumë në futboll me urdhër të drejtpërdrejtë nga shefi i qeverisë kineze. Plani i tyre i edukimit të brezit t ëri nis që nga shkollat dhe klasat sportive. Në mos gaboj edhe në Shqipëri ka qenë ky lloj sistemi. Me anë të këtij procesi, Kina zgjedh elementet nga shkolla, qoftë fillore, për t’i dërguar në ekipe profesioniste. Padyshim që këtu është çdo lloj kategorie e ndarë në nivele elitare dhe nën elitare. Në përgjithësi ka mundësi seleksionimi duke qenë se është shteti me popullsi më të madhe në botë, por nuk ka traditë futbolli. Por asgjë nuk mungon duke filluar nga pagesa korrekte, ushqimi dhe deri tek baza materiale që nuk ka të krahasuar me Superioren tonë.

Një ditë normale e juaja, si kalon atje?

Aktualisht shefi im është një ish-trajner i Albacetes në Spanjë. Unë mbuloj detyrën e skautit dhe trajnerit në një shkollë që përzgjedh elemente për klubin Shenzen Kaisa Fc. Numri i elementeve është i vogël deri në 50 nxenës, por më tërheq fakti i femrave që kanë më shumë dëshirë dhe janë më të talentuara se djemtë. Punoj rreth 2 orë në ditë dhe më pas angazhime për takime të tjera.

E ke ndjekur Kombëtaren e Shqipërisë? Je pro apo kundër vazhdimit të Rejës?

Kombëtaren e kam ndjekur dhe sinqerisht jam mërzitur për humbjen kundër Andorrës, pasi preferoj ta quaj humbje dhe jo si barazim. Për faktin se me një rival të tillë ne duhet të hyjmë në fushë dhe të fitojmë me 3 gola para, jo t’ia lëmë luksin Andorrës të barazoj në zemër të Shqipërisë. Futbollistët të mos e gënjejnë veten kot që e kishin mendjen te Franca. E admiroj Rejën për formacionin e përzgjedhur dhe risitë në Kombëtare, por mendoj se ka ardhur koha për një mall vendi që i njeh mirë lojtarët dhe se çfarë duam ne.

Pavarësisht zhgënjimit të dy ndeshjeve të fundit, sa mund të ketë ndikuar për lojtarët në këto performanca dalja nga gara për kualifikim?

Sigurisht që ka pasur një bllokim psikologjik, që vazhdon në përfundimin e këtyre eliminatoreve. Unë mendoj se “ilaçi” më i mirë është që FSHF të organizojë miqësore me ekipe të nivelit më të ulët, që t’i rikthehet besimi ekipit me fitoret.

A erdhi koha për një trajner shqiptar te Kombëtarja? Nëse po, një emër konkret…

Shiko, realiteti është që trajnerët shqiptar kanë kaluar në turin e tretë të “Europa League”, më pas shkuan në grupe dhe janë përfaqësuar mirë në nivelet më të larta. Madje duke fituar edhe aty. Ka nga ata që kanë trajnuar edhe në “Champions League”. Unë nuk e kuptoj se çfarë ka më shumë Edi Reja se Ilir Daja? Personalisht mendoj të emërojmë trajner shqiptar që do e bëj punën njësoj si të huajt. /Sport Ekspres/