Ekskluzive/ Rraklli tregon si fitohet “lufta”: Të mbahet barazim deri në të 60-ën, gati për kilometra

Altin Rraklli mbetet një nga figurat më të shquara të Kombëtares ndër vite. Eksperienca e madhe e këtij njeriu në Europë, bëri që Shqipëria të fitonte shumë sa i përket kontributit të rikthyer në atdhe.

E teksa Kombëtarja po përgatitet për të zhvilluar transfertën e vështirë ndaj Francës, Rraklli jep për “Sport Ekspres” formulën e vetme që na nxjerr si fitues. Fatmirësisht ekziston, por që për t’ia dalë, duhet të bëhen bashkë shumë faktorë, ku ndoshta nuk do të jenë as në dorën e vetë Shqipërisë.

Sot luajmë ndaj Francës. Këshilla e parë që do t’i jepte Altin Rraklli futbollistëve të Kombëtares, nisur nga eksperienca juaj e madhe?

Nuk besoj se ka nevojë për motivim shtesë për këtë ndeshje, kundër kampionëve të botës. Por patjetër që duhet përqendrim në çdo sekondë. Skuadra duhet të jetë sa më e ngushtë, mos të lërë hapësira sidomos 30 metra para portës. Duhet që të shtyjmë sa më shumë minutat pa pësuar gol. Do i duhet lojtarëve që secili prej tyre të vrapojë shumë kilometra dhe patjetër të provojmë në kundërsulme në momentin që kundërshtari do të bëhet nervoz dhe do të lërë hapësira mbrapa.

Franca do të jetë thuajse me ekip të dytë të detyruar ndaj Shqipërisë. Nga Kante e Pogba të dëmtuar, pa harruar edhe mungesa si Mbape apo Lakazete. Sa do të ndihet në lojën e tyre?

Kemi të bëjmë me kampionët e botës që kanë 30-40 lojtarë në nivelin e lartë në përbërje. Do të ishte gabim i madh nëse mendojmë për emrat që mungojnë. Nga ana tjetër, lojtari rezerv kërkon të zëri vend dhe jep gjithmonë maksimumin në momentin që i vjen ky shans. Nga gjithë ato mungesa, mendoj se vetëm Mbape do të jetë i vështirë për t’u zëvendësuar, sidomos me shpejtësinë që ka.

Si e lexon lojën e Rejës për në mbrëmje? E kaluara na tregon se nëse e pësojmë të parët, ndeshja mbyllet aty. Pra a duhet të presim gjithmonë mbrapa?

Jo vetëm Reja, por çdo trajner do të vepronte kështu. Nuk besoj se e kemi luksin që të dalim me sulmin ballor ndaj Francës, pasi nuk kemi kualitetet dhe forcën ndaj kundërshtarit për ta bërë një gjë të tillë. Skuadra në krahasim me De Biasin është më e vjetër në moshë dhe më pak e freskët në aspektin fizik. Loja në grup, me mbrojtje të ngjeshur dhe në momentet e duhura të kundërsulmojmë. Kjo do të ishte taktika më e llogjikshme për mua. Kam përshtypjen se nëse arrijmë të mbajmë ndeshjen barazim deri në minutën e 60, do të nervozohen dhe do krijojnë hapësira mbrapa, duhet të jemi të ftohtë për t’i shfrytëzuar që të shënojmë.

Uzuni ka shfaqur kombinime me të mira me Sadikun, që e bazon lojën e tij edhe në kombinimet e shkurtra. Balaj kërkon tê shfrytëzoj më shumë krosimet. Do të funksionoj Uzuni-Balaj?

Sipas meje kemi një grup sulmuesish që pak a shumë janë njësoj në mënyrën e lojës. Pak sulmues të shpejt që të kërkojnë topat nga pas shpine ose që bëhen shumë të rrezikshëm në zonë për çdo mbrojtës. Grezda më duket më i shpejti dhe që kërkon në mënyrë të tillë topat, por nuk do të jetë fatkeqësisht për problemet që ka. Pra ata sulmues që do të luajnë, urojnë të jenë mirë fizikisht, pasi ekipi do të ketë nevojë për shumë kilometra nga ta.

Nëse mundemi në Francë, aspak çudi pasi janë kampionët e botës. Sa përqindje shpresë shihni për kualifikimin në Europian?

Nuk varet kualifikimi te një ndeshje. Patjetër që një barazim do na jeptë pikë moral, entuziazëm, forcë për ndeshjet e ardhshme. Renditja në përgjithësi na bën që të shpresojmë te një kualifikim dhe unë uroj që ta arrijmë. Por kualitetet dhe ndeshjet që kemi bërë deri tani, nuk më japin shumë shpresë të them të drejtën. Gjithsesi, shpresa vdes e fundit.

Reja jep edhe leksione të forta te Shqipëria. Lë tërësisht jashtë Grezdën që kishte krenarinë e gabuar në grumbullimin e fundi. Ishte vendimi i duhur?

Në vendimet disiplinore të trajnerit nuk më takon të jap mendime. Për rastin e Grezdës nuk kam dijeni, por dua të theksoj se nuk kemi luksin që me kaq pak lojtarë elite që kemi aktualisht, t’i lëmë jashtë për gjëra të vogla që mund të tolerohen njëherë.

Kush është frika më e madhe e jotja në përballjen ndaj djemëve të Deshamp dhe e vetmja formulë që mund të na jap suksesin?

Frikë nuk besoj se ka njeri, qoftë tifoz apo edhe pjesë e ekipit. Fundja, është vetëm një ndeshje futbolli. Por siç thashë më lartë, duhet shumë përkushtim, përqendrim, vrapim, logjikë, zemër dhe shumë fat që të kalohet pozitivisht. Sikur një nga këto elementet të mungojë, do të jetë e vështirë t’ia dalim. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *