Ekskluzive/ Rraklli rrëfehet për Shqipërinë e Rejës: Tani kur të vjen miku, di se ku e pret

Altin Rraklli është një nga figurat legjendare të Shqipërisë dhe që kontribuar shumë për Kombëtaren. Për shkak të disa angazhimeve personale nuk mund të gjendej në “Air Albania”, atje ku mbërriti edhe ftesa për të qenë në inagurimin e ndeshjes kundër Francës.

Por si e sheh Rraklli këtë Kombëtare që drejtohet nga Reja, si e sheh stadiumin e ri të Shqipërisë dhe formën që po tregojnë lojtarët? Në një intervistë për “Sport Ekspres” rrëfehet gjatë, duke dhënë mendimin e tij për të gjitha këto çështje.

“Këto dy ndeshjet e fundit, meqë ekipi doli edhe nga objektivat kishte rëndësi që të kapnim vendin e 3. Do të ishte sukses. Nëse heqim Francën, Turqia nuk është si ishte superiore ndaj nesh, sidomos në ndeshjen e dytë. Me pak kujdes, duke marrë parasysh edhe Islandën, mund të ishim kualifikuar nëse Reja do të vinte më herët. Në gjendjen që e mori Kombëtaren, janë parë shumë ndryshime nga Reja. Sa i përket dy ndeshjeve të fundit, kanë ndikuar shumë arsye për mos arritjen e objektivave.

Fillimisht e gjithë vëmendja u përqendrua te Franca dhe e harruam që do luanim ndaj Andorrës. Ishte një festë e madhe për stadiumin në Shqipëri dhe kjo ishte e kuptueshme. Por ndikoi te përqendrimi i lojtarëve. Sigurisht pastaj edhe dalja nga objektivi për kualifikim ka shumë rëndësi. Lojtarët i kanë fjalë rutine ato që nuk ka shumë ndryshim për ta, pasi thellë brenda vetes e ndjen kur lufton për shumë dhe kur lufton për “asgjë”.

E kam dëgjuar që ka pasur edhe disa përplasje të lojtarëve me trajnerin, por nuk jam në brendësi të çështjes. Unë e mendoj se Reja nuk duhet t’i garantoj kurrë një lojtari vendin në formacionin bazë. Sidomos me konkurrencën tani që po vjen duke u shtuar. Sa i përket stadiumit të ri, e shoh paksa me luks të tepruar. Nuk është kritikë, por mendimi im. Pra ato lekët e mëdha që janë investuar në atë stadium, mund të ndërtoheshin edhe 2 me përgjysmimin e asaj kosto. Por sigurisht që tani kur të vjen miku, e di se ku e pret”, ka thënë Rraklli. /Sport Ekspres/