Ekskluzive/ Redon Xhixha flet edhe për ndeshjen me Tiranën: Largimi i Starovës më erdhi papritur!

Armando Cungu është trajneri i ri në Superiore dhe që ka marrë drejtimin e Laçit. Debutimi i tij do të vijë ndaj Tiranës, me një mision më shumë se të vështirë për kurbinasit. Por pavarësisht ndërrimit të teknikëve, pas largimit për mungesë të rezultateve të Starovës, Redon Xhixha nuk preket. Një nga lojtarët më të rëndësishëm të Laçit dhe që në të ardhmen mund të synojë tregun jashtë Shqipërisë.

Në një prononcim për “Sport Ekspres” para ndeshjes me Tiranën, Xhixha ka folur për situatën aktuale të kurbinasve dhe ndeshjen e radhës:

“Largimi i profesor Starovës më erdhi i papritur. Kjo sepse isha i grumbulluar te Kombëtarja, te Shpresat, kur pashë edhe lajmin e largimit. Unë jam një futbollist i ri dhe normale që pres të përmirësohem edhe në aspektin personal me ndërrimin e trajnerit. Gjithmonë ka vend për më shumë përmirësim. Tani ndeshja me Tiranën duhet të futemi të marrim maksimumin. Sa i përket golit, nuk ka rëndësi nëse e shënoj unë apo dikush tjetër. Me rëndësi është që të merret maksimumi nga ajo përballje që ne po e përgatisim mirë”, ka thënë Xhixha. /Sport Ekspres/