Ekskluzive/ Rasti i veçantë i Mustafës, luan kundër Shqipërisë: Pushimet i bëja në Kosovë!

Një ndeshje vëllazërore do të jetë ajo mes Shqipërisë U-21 dhe Kosovës U-21 që do të luhet në datën 15 tetor. Megjithatë edhe zyrtare njëkohësisht, ku të dyja ekipet do të kërkojnë marrjen e pikëve për renditjen e tyre sa më lartë.

Rasti i veçantë është ai i Valdrin Mustafës, që vetëm pak kohë më parë ka lënë fanellën e kuqezinjëve te Shpresat, për të veshur atë të dardanëve. Sigurisht, ndryshimi nuk ekziston shumë, pasi flitet për të njëjtin komb.

“Sport Ekspres” ka komunikuar me lojtarin, për të marrë mendimin e tij mbi këtë ndeshje dhe faktit që për herë të parë do të luajë kundër Kombëtares që ishte më parë. Gjithashtu edhe për të kuptuar një arsye më tepër rreth largimit, ndërsa Mustafa që luan me Hanoverin na ka thënë:

“Për ne është një ndeshje shumë e veçantë, por njëkohësisht do të jetë edhe e bukur. Ka shumë rëndësi ky takim për ekipin tonë. Nuk kemi diferencë të madhe, pasi ne një komb jemi. Por sa i përket largimit tim, prindërit më kanë lindur në Kosovë dhe çdo pushim që bëja, unë shkoja në Kosovë. Kjo ka qenë edhe vendimtare për mua. E rëndësishme është të luajmë mirë, të japim maksimumin dhe t’i marrim tre pikët në Shqipëri”, tha Mustafa. /Sport Ekspres/