Ekskluzive/ Rastet me Greqinë, rrëfimi i Lalës: Zgjedhje fallco! Vendosni me zemër dhe jo me kokë

Jo vetëm një figurë e njohur e Kombëtares së Shqipërisë dhe një lojtar që fitoi dashurinë e të gjithëve në Gjermani, por Altin Lala po kthehet edhe në një menaxher të po këtij niveli. Padyshim ajo goditje për të marrë nën administrim dhe për t’i besuar që në hapat e parë të Milot Rashicës, e ka kthyer Lalën në qendër të vëmendjes shpeshherë në mediat gjermane.

Ndërsa Shqipëria do të luajë dy ndeshje delikate në muajin tetor, “Sport Ekspres” ka komunikuar me legjendën kuqezi për të marrë edhe mendimet e tij. Gjithashtu janë prekur edhe tema të ndryshme, që janë kaq shumë prekëse për situatën aktuale. Sidomos sa i përket lojtarëve shqiptarë në Greqi, që shpeshherë të detyruar dhe në raste të tjera jo, zgjedhin të përfaqësojnë helenët.

Ambienti i Kombëtares. Kemi shkuar nga ato kritika për lojtarët, te një ëndërr e ndezur për Europian. Si e sheh të gjithën këtë?

Po shiko, luhatje ka gjithmonë dhe për mua kjo është shumë natyrale. Këtu padyshim ndikojnë edhe rezultatet. Një tjetër faktor janë edhe lojtarët që tashmë janë në gjendje më të mirë, teksa shohim edhe sulmuesit që po i gjejnë më lehtë golat. Më parë na kanë penalizuar edhe dëmtimet e shumta. Prandaj është normale e gjitha kjo.

Ato 4 gola me Islandën na kanë befasuar të gjithëve. Mendon se ishte edhe një rastësi, apo e gjitha prodhim i lojës së trajnerit? Pasi në Shqipëri nuk mund të bindemi lehtë.

Për mua kjo ishte një përgjigje shumë e mirë pas ndeshjes me Francën. Ata janë një nga ekipet më të forta në botë. Nuk është se pritej aq shumë në Francë, le ta themi kështu. Skuadra tregoi një fytyrë shumë ndryshe me Islandën dhe vetë formacioni në fakt, ishte shumë ndryshe. U futën në lojë, lojtarë si Gjasula dhe Bare. Ekipit iu dha sërish frymëmarrja e munguar. Por kishim si kundërshtar Islandën, jo Francën. Pa harruar edhe kualitetet e Islandës këtu, që në vitet e fundit kanë bërë ngritje të madhe. E vërtet që nuk pritej nga publiku një gjë e tillë dhe u surprizuam disi sa i përket fitores me 4 gola ndaj Islandës.  Ekipi iu rikthye shumë frymëmarrja.

Sa i përket përballjes me Turqinë. Sa shumë diferenca pret që të ketë në fushën e lojës me Shqipërinë dhe sa janë gjasat reale?

Për mua këto dy ndeshje ne duhet të luajmë pa komplekse dhe jo të ndihemi si inferiorë. Duhet t’i bëjmë presion turqëve, madje edhe në stadiumin e tyre. Sigurisht këtu nuk po them që të shkojmë ne dhe t’i sulmojmë të parët. Por me rëndësi është t’i mbajmë larg zonës tonë. Të rrezikojmë në aspektin e sulmit dhe mos të harrojmë që edhe Turqia e do fitoren. Ata janë shumë agresiv dhe euforik para publikut të tyre. Më e rëndësishme, të fitojmë dyluftime.

Ndryshimet e Rejës duken në mesfushë dhe kemi një afërsi me De Biazin. Nëse De Biazi bazohej te një treshe Kukeli-Xhaka-Abrashi, tani kemi Bare-Gjasula-Abrashi(Memushaj).

Mund të kemi këtë afërsi. Klaus Gjasula arriti të fitojë shumë dyluftime dhe i dha shumë Kombëtares. Nga ana tjetër, Keidi Bare është një risi e re që nisi me Francën dhe ishte një nga më të mirët. E përsëriti veten edhe me Islandën, prandaj mund ta shohim edhe nga ky aspekt.

Sa i përket nivelit të Roshit? Ka treguar se ka rëndësi jetike për Shqipërinë.

Unë nuk e kam kritikuar Roshin në mënyrë personale. Kam kritikuar vendosjen e trajnerit që e la si mbrojtës krahu në përballjen me Francën. Ai ka mundësitë për të shpalosur më tepër në fushë dhe e ka treguar gjithmonë këtë. Sigurisht, nuk presim gol prej tij në çdo ndeshje, por duhet t’i besohet në vendin e duhur.

Në Shqipëri tregohen skeptikë për talentet e reja. Është kritikuar Bare, por shihen edhe me mëdyshje afrime si Seferi dhe Selahi. Si e gjykon këtë çështje i edukuar paksa me një mentalitet tjetër?

Oto Rehhageli ka thënë: “Nuk ka lojtar të ri dhe të vjetër. Këtu ka vetëm lojtar të mirë dhe të keq”. Pra kjo i përmbledh të gjitha rreth kësaj pyetje. Mjaftojnë që ata futbollistë që vijnë të luajnë në klubet e tyre.

Po sepse po kthehet edhe disi qesharake kjo. Nëse nuk duhet t’i ftojmë këta lojtarë pasi nuk kanë eksperiencë, atëherë si do të munden ta fitojnë ndonjëherë?

E drejtë kjo që thoni. Për mua, fatmirësisht që po na dalin këta djemë të rinjë. Sa i përket Bares, unë e kam parë që kur ishte në moshë të vogël dhe ishte i pjekur në fushë, kishte vizion. Ne duhet të themi sa mirë që ka risi nga ana e Rejës. Aq më tepër që edhe Kosova ka formuar përfaqësuesen e saj dhe zgjedhjet janë më të pakta. Këta futbollistë duhet t’i afrosh dhe t’u japësh mundësinë që të tregojnë vlerat.

Janë shtuar shumë zgjedhjet e lojtarëve shqiptarë për Greqinë, edhe nga presioni i madh që bën shtetit helen, deri në prishje të karrierës. Çfarë këshille u jep, si një figurë e njohur e Kombëtares dhe si menxher?

Është e vështirë kjo situatë, duhet theksuar, nëse presioni vjen direkt nga klubi. Por si çështja e gjitha kjo i përket lojtarit dhe jo klubit. Nëse do të isha unë në vendin e tyre, do të vendosja me zemër dhe jo me kokë, pra nga presioni. Kjo është një çështje që nuk e sheh askund tjetër. Përshembull kemi rastet e lojtarëve turqë në Gjermani. Po ata kur e bëjnë zgjedhjen për të lënë Turqinë për Gjermaninë, e kanë tërësisht në dëshirë individuale. Nuk ka asnjëherë presion për ta. Është ky rasti që thoni ju, por është edhe një rast tjetër. Kur lojtari shqiptar kërkon t’i bashkohet Greqisë, nuk gjen hapësirë andej dhe kthehet prap te Shqipëria. Në të dyja variantet, për mua janë zgjedhje fallco. /Sport Ekspres/